Nis sot fushata zgjedhore! Jeni gati për një muaj show dhe premtime?

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 11.04.2025, 12:56

Dita e sotme, datë 11 prill 2025 shënon një ditë të rëndësishme për skenën politike shqiptare, teksa partitë politike dhe kandidatët për kryeministër hyjnë zyrtarisht në garë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj.

Kryeministri aktual, Edi Rama, do të kërkojë mandatin e tij të katërt, duke premtuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 – një objektiv ambicioz, ndonëse shumë faktorë të rëndësishëm për këtë proces mbeten jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të qeverisë shqiptare.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike, nën drejtimin e Sali Berishës dhe në kuadër të koalicionit “Shqipëria Madhështore”, synon të rikthehet në pushtet pas më shumë se një dekade në opozitë. Në garë janë edhe disa forca të reja politike, si Demokratët Euroatlantikë, Partia Mundësia, Djathtas për Zhvillim, Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë, të cilat kërkojnë të sigurojnë përfaqësim sa më të gjerë në Kuvend.

Si zakonisht, fushata pritet të shoqërohet me një mori premtimesh, takimesh me qytetarët dhe një prani të shtuar të politikanëve në terren – të gjithë “një me popullin”. Do dëgjohen hallet, do premtohen zgjidhje dhe, si çdo herë, do garantohet ndryshimi për të mirë.

Kjo periudhë është shpesh e shoqëruar edhe me intensifikimin e punimeve dhe propagandës qeveritare – nga "asfalti elektoral", te legalizimet, lehtësimi i procedurave në institucione, e deri tek shpërndarja e ndihmave në formën ushqimore, për ndikimin e votuesve.

Por ajo që historia na ka mësuar, është se shumë nga këto premtime zbehen sapo të mbyllet kutia e fundit e votimit. Spektakli zgjedhor përfundon dhe jeta kthehet në rrjedhën e saj të zakonshme.

Pyetja që shtrohet është: A jeni gati të përjetoni edhe këtë herë të njëjtën “shfaqje” për një muaj të tërë?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit