Një qytetare ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania një rast shqetësues që lidhet me sigurinë ushqimore. Ajo tregon se ka blerë një kos frutash në supermarketin “Xhagolli” pranë SPAK-ut në Tiranë, por sapo e ka hapur, produkti ka rezultuar i prishur, pavarësisht se data e skadencës ishte ende në afat.
Sipas saj, kosi mbante erë të keqe dhe kishte një strukturë të çuditshme, duke “u varur në lugë në mënyrë jo të zakonshme”. Ajo ka dërguar edhe një video ku tregohet qartë gjendja e produktit.
E shqetësuar për cilësinë e ushqimit që u ofrohet qytetarëve, ajo është kthyer menjëherë në supermarket për të kërkuar llogari, por është përballur me një reagim të ftohtë dhe aspak profesional nga stafi.
Sipas qytetares, askush nuk pranoi të thërriste menaxherin, ndërsa stafi i është përgjigjur thjesht: “Ashtu ka ardhur nga kompania”, pa dhënë as ndjesë apo zgjidhje.
Denoncimi i saj i plotë:
“Përshëndetje JOQ, dua të bëj një denoncim: Sot bleva një kos frutash nga supermarketi ‘Xhangolli’ te rruga ‘Panorama’, pranë SPAK-ut. Produkti kishte datën e skadencës në rregull, por sapo e hapa ishte i prishur dhe me erë të keqe. E kam edhe me video si provë. U ktheva menjëherë në market dhe kërkova menaxherin, por refuzuan të ma thërrisnin dhe më thanë: ‘Ashtu ka ardhur nga kompania’, pa më dhënë as zgjidhje e as ndjesë. Kërkoj që ky rast të bëhet publik sepse është çështje shëndeti, dhe kjo sjellje është e papërgjegjshme ndaj klientëve. A ju duket normale kosi që varet ashtu në lugë? Faleminderit!”