Peqini prag zgjedhjesh! Bukuroshi hap tenderin e zhavorrit

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 10.04.2025, 17:56

Edhe pse jemi ende në fillim të fushatës elektorale, në Bashkinë e Peqinit ka nisur lëvizja. Kryetari i bashkisë ka hapur një tender për blerje zhavorri – një tender me vlerë të vogël krahasuar me shifrat e zakonshme që qarkullojnë në periudhat zgjedhore. Por, siç duket, magjia nuk qëndron te shuma, por te vetë objekti i tenderit: Zhavorri!

Në redaksinë tonë çdo ditë mbërrijnë pamje dhe raportime nga qytetarët, të cilët tregojnë rrugë të dëmtuara, gropa të pafundme dhe mungesë totale investimesh. Për ironi, çdo herë që afrojnë zgjedhjet, fjala "zhavorr" bëhet sinonim i "shërbimit për qytetarët". Një simbolikë e trishtë e një qyteti që prej vitesh vuan nga mungesa e vëmendjes dhe investimeve serioze në infrastrukturë.

Peqini është një nga bashkitë ku është vendosur më pak dorë nga projektet e zhvillimit urban. Në terren, qyteti ofron pamjen e një zone të harruar: rrugë të amortizuara, ndërtesa të dëmtuara dhe mungesë të hapësirave tregtare apo sociale.

Ndërsa qytetarët kërkojnë investime serioze dhe një vizion të qartë për zhvillimin e zonës, autoritetet duket se vazhdojnë të ofrojnë zgjidhje afatshkurtra – dhe në shumë raste thjesht kozmetike. Dhe si përherë, zhavorri duket se ka një vend të sigurt në këtë "strategji"

A do të mbetet edhe këtë herë Peqini një pikë në hartë që kujtohet vetëm për vota, apo më në fund do të nisë një ndryshim i vërtetë? Përgjigjen do ta japë koha – dhe qytetarët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit