4 ditë i ngrirë qëndroi në Malet e Pashtrikut 27-vjeçari Ajet Lleshi nga fshati Kishaj në Has, që humbi kontaktet me familjen e tij në datën 6 prill dhe u gjet ditën e sotme pa shenja jete. Ai u largua për të mbledhur dru, dhe që prej asaj dite nuk kishte më asnjë kontakt me familjen.
Familjarët e tij – babai, tre xhaxhallarët dhe kushërinjtë – nisën menjëherë kërkimet, me shpresën se do ta gjenin të gjallë. Ata kërkuan për orë të tëra, ditë me radhë, në kushte të vështira, por pa sukses. Madje gjatë kërkimeve, babai i Ajetit, Rizah Lleshi, humbi ndjenjat për shkak të lodhjes fizike dhe tronditjes psikologjike që nuk po gjente dot djalin.
Fatkeqësisht, ditën e sotme trupi i pajetë i Ajetit u gjet në mal, pas katër ditësh në temperatura të ulëta dhe kushte ekstreme.
Por kjo tragjedi ngre pyetje serioze: A ka dikush përgjegjësi për këtë humbje jete?
Përse institucionet, përfshirë Policinë e Hasit, nuk ndërhynë me urgjencë e profesionalizëm në orët e para të zhdukjes?
A u përdorën të gjitha mjetet e mundshme për lokalizimin e të riut, si kontrolli i qelizave telefonike?
A ndërmori drejtuesi i Komisariatit të Hasit, Astrit Përleshaj, çdo veprim të nevojshëm në kohë?
Ajo që u përpoq më shumë në gjetjen e Ajetit ishte Policia e Kosovës, e cila zhvilloi kërkime dhe me helikopter. Përse policia jonë nuk veproi njësoj?
Ngjarja nuk është thjesht një fatkeqësi personale për familjen Lleshi, por një dështim institucional që lë pas shumë pikëpyetje. A do të nisë një hetim për mënyrën si u menaxhua kjo situatë? Apo rasti do të mbulohet me heshtje, si shumë të tjerë që përfundojnë pa transparencë?
Një gjë është e qartë: Ajet Lleshi nuk është më. Dhe në këtë humbje, krahas dhimbjes së thellë të familjes, rëndon edhe dështimi i autoriteteve për ta gjetur në kohë.