Mbrëmjen e 3 prillit, forcat e Komisariatit Nr 2 në Tiranë arrestuan ish-policin e RENEA-s, Altin Morina. Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revansh” pas zbardhjes së bisedave telefonike SkyEcc pasi u zbulua se ishte bashkëpunor i Durim Bamit.
Altin Morina, ish-bashkëpunëtori i Durim Bamit, u arrestua pas zbulimit të lidhjeve të tij kriminale. Morina njihet edhe për lidhjet e tij me grupin e Ervis Martinajt.
Por ky arrestim shkaktoi një ngjarje të paprecedentë në Policinë e Shtetit, duke çuar në shpërbërjen e të gjithë zinxhirit komandues të komisariatit. Kjo pasi efektivi i RENEA-s Morina rezulton të jetë mik i ngushtë i drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Për hakmarrje ndaj arrestimit të mikut të tij, drejtori Proda ndërmori një lëvizje drastike duke shkarkuar shefin e komisariatit, shefin e krimeve, oficerët e policisë gjyqësore dhe agjentët civilë, duke i ekspozuar ata në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.
Kjo shpërbërje e komisariatit numër 2 nxjerr në pah lidhjet e drejtorit Proda me figura të rrezikshme kriminale si Altin Morina dhe bashkëpunëtorët e tij Durim Bami, duke demoralizuar efektivët me qëllim trembjen e tyre duke i hequr kompetencat e po ashtu duke inkurajuar aktivitetet kriminale dhe lidhjet e efektivëve të shtetit me figurat e krimit.
Skandali përshkallëzohet më tej pasi AMP, përpos se nuk mbështeti hetimin e plotë të ngjarjes, delegoi Franc Ndojin për të ushtruar presion ndaj agjentëve të mbetur në komisariat që të jepnin dorëheqjen. Ndoja dhe Morina janë të njohur për lidhjet e ngushta mes tyre dhe kanë qenë nën hetim për aktivitete kriminale, përfshirë huadhënie me fajde dhe menaxhimin e lojërave të fatit në Tiranë, Fushë-Krujë dhe Shkodër.
Shefi i SHKB-së, Franc Ndoja, ka ushtruar presion ndaj efektivëve të përfshirë në arrestimin e Morinës, duke i kërcënuar me burg.
Si pasojë, shumica e efektivëve dhanë dorëheqjen…
Ky skandal i radhës, tregon qartë se kupola e Policisë së Shtetit është e inkriminuar dhe administrimi i zgjedhjeve të 11 majit do të jetë një proces i dyshimtë.