Ditën e djeshme, sportisti Chermen Valiev, i cili përfaqëson Shqipërinë në mundje, u shpall kampion i Europës në peshën 74 kg, stil i lirë, pas një ndeshjeje të fortë ku mposhti rusin Zaurbek Sidakov me rezultatin 4-2.
Por gjatë ceremonisë së medaljeve, një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur për sportitstin e Shqipërisë. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), ka njoftuar se presidenti i Federatës Ruse të Mundjes ka ushtruar dhunë fizike ndaj Valiev, duke e shtyrë dhe përdorur forcë në momentin që i vendoste medaljen e artë në qafë. Përveç kësaj gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala ‘tradhëtar’ për Chermen Valiev, që ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë.
Ky incident i rëndë është filmuar dhe publikuar nga KOKSH, duke ngritur shqetësime serioze mbi sigurinë dhe etikën në ambientet sportive. Deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Federata Ndërkombëtare e Mundjes apo organizatorët e kampionatit.
KOKSH ka dënuar aktin dhe ka kërkuar masa ndaj zyrtarit rus, ndërsa mbështet plotësisht sportistin Valiev për suksesin dhe dinjitetin e treguar në përfaqësimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.