Fast food-et janë shpesh zgjidhja më e shpejtë për të kaluar një vakt, por duket se siguria ushqimore lë shumë për të dëshiruar, sidomos në vendin tonë.
Një qytetar i është drejtuar redaksisë për të denoncuar një incident të pakëndshëm, që i ka ndodhur me një prej Fast-Food-eve më të njohura në Tiranë.
Ai ka treguar se për darkë ka porositur një menu 'Spring Combo' te OPA, e cila përfshinte dy sufllaqe me mish pule, patate dhe cola. Por teksa po e konsumonte, ai ka vënë re se mishi i pulës, vetëm si i tillë nuk ngjante pasi ishin thjesht copa dhjamore që shtypeshin me dorë.
Ky incident ka shkaktuar shqetësim dhe neveri te konsumatori, i cili thekson se një situatë e tillë është e papranueshme në një kohë që skandali i salmonelës ka shpërthyer në vend duke rrezikuar haptazi jetën dhe shëndetin e shqiptarëve.
"Pershendetje Joq, porosita tek Opa e famshme ne Tirane dhe shikoni cfare po konsumojme , e tmerrshme", thotë qytetari i cili kërkon masa dhe kontrolle të menjëhershme nga autoritetet përgjegjëse.
Ky nuk është rasti i parë që qytetarët ankohen për mungesë të standardeve higjieno-sanitare në fast food-e dhe lokale të ndryshme në vend. Situata e raportuar ngre pyetje serioze për rolin e institucioneve përgjegjëse dhe masat që duhen marrë për të garantuar shëndetin e konsumatorëve.