Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e kaluar te "Rruga e Dibrës", Tiranë.
JOQ ALBANIA ka mësuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur para urgjencës së re në QSUT. Një taksist 29-vjeçar i identifikuar si Gerald Hoxha ka mbetur i plagosur në këmbë pas një sherri me 32-vjeçarin Franci Canaj.
Ky i fundit në debat e sipër për parkimin e makinës, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të Hoxhës. Pas kësaj ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim, ndërsa 29-vjeçari i plagosur mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pacientët e spitalit denoncuan në JOQ zhurmat dhe britmat nga krisma e armës, pa e ditur se çfarë kishte ndodhur.
Njoftimi i policisë:
“Policia identifikon dhe shpall në kërkim një 32-vjeçar që plagosi me armë zjarri një shtetas, mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se në Rrugën e Dibrës ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. C., 32 vjeç, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin G. H., 29 vjeç, e ka qëlluar këtë të fundit në këmbë, me armë zjarri. Shtetasi G. H. mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje