Policia konfirmon sherrin e denoncuar nga JOQ në Kavajë, 7 persona u rrahën me leva e zinxhirë në servis

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 10.04.2025, 10:38

Policia e Kavajës ka konfirmuar ditën e sotme sherrin e raportuar ekskluzivisht një ditë më parë nga JOQ Albania, të ndodhur në një servis automjetesh në lagjen nr. 4 të qytetit.

Ashtu sikurse ne e raportuam, sherri ka ndodhur në datën 8 prill 2025, dhe në të janë përfshirë disa persona, mes tyre dhe Xhorxho Krali 18-vjeç, që sipas raportimeve është nipi i ish-kryebashkiakut të Kavajës Redjan Krali.

Sherri ka ndodhur rreth orës 11:00 në servisin e automjeteve në pronësi të Biliman Habilit dhe në të janë përfshirë 7 persona. Gjatë konfliktit që është shoqëruar me përdorimin e sendeve të forta si leva dhe zinxhirë, disa persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar në spital.

Sipas policisë, Manuel Tosku 18-vjeç ka dëmtuar një automjet që ndodhej në servis. Ai është proceduar penalisht për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Gjithashtu Xhorxho Krali, është proceduar për veprat penale “plagosje e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”.

Të përfshirë në sherr ishin dhe shtetasit Eljo Habili, Eriko Habili, Biliman Habili dhe Fatjon Kalaja, të gjithë banues në Kavajë, që janë proceduar penalisht për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”. I gjithë sherri raportohet të ketë ndodhur për motive të dobëta.

Sipas dëshmive që JOQ Albania ka siguruar, në sherr dyshohet se janë përdorur dhe armë zjarri, por një gjë e tillë nuk konfirmohet nga policia, e cila e bëri publike këtë ngjarje vetëm pas denoncimit nga ana jonë.

Njoftimi i policisë:

Kavajë

Në lidhje me një postim në portalin “JOQ Albania”, për raportimin e një qytetari, mbi një konflikt mes disa shtetasve, të ndodhur më datë 08.04.2025, bëjmë me dije se:

Policia e Kavajës ka marrë njoftim për këtë konflikt, më datë 08.04.2025, dhe ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, brenda ditës, për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, më datë 08.04.2025, kanë referuan materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi penal për shtetasit:

M, T., 18 vjeç, banues në Kavajë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”;

Xh. K., 18 vjeç, banues në Kavajë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”;

E. H., 19 vjeç, E. H., 22 vjeç, B. H., 28 vjeç dhe F. K., 18 vjeç, të gjithë banues në Kavajë, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

Nga veprimet hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, dyshohet se rreth orës 11:00 të datës 08.04.2025, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, në ambientet e servisit të automjeteve, të shtetasit B. H., në lagjen nr. 4. Gjatë konfliktit, shtetasi M. T. ka dëmtuar një automjet që ndodhej në këtë servis.

Gjatë kontrollit në ambientet e servisit dhe në banesat e shtetasve të përfshirë në konflikt nuk janë gjetur sende të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit