Një qytetare ka raportuar në redaksinë e JOQ Albania një rast shqetësues vjedhjeje që ka ndodhur në tragetin e linjës Adria, gjatë udhëtimit nga Ancona drejt Durrësit.
Sipas saj, prindërit – të moshuar – ishin ndër viktimat e një vjedhjeje të ndodhur gjatë natës, ndërkohë që flinin në një zonë të qetë të tragetit, pa kabinë. Portofoli i tyre u gjet mëngjesin tjetër i hapur mbi çantë, me të gjitha paratë e zhdukura. Ngjarja ka prekur edhe pasagjerë të tjerë.
Denoncimi thekson se përgjegjësit e tragetit jo vetëm që nuk kanë dhënë asnjë informacion, por kanë refuzuar të njoftojnë policinë apo të verifikojnë pamjet filmike. “Na thanë nuk mbajmë përgjegjësi, nuk e dimë a kemi kamera apo jo”, është shprehur qytetarja e revoltuar.
Edhe kur prindërit e saj kishin takuar një efektive policie në port, kjo e fundit nuk kishte reaguar. “Në 2025 ende ndodhin këto gjëra? Askush nuk mban përgjegjësi, as reagon,” përfundon ajo.
Apeli i saj është që ngjarje të tilla të bëhen publike për të ndërgjegjësuar qytetarët dhe për të kërkuar llogari nga autoritetet.
Mesazhi i plotë i qytetares:
"Pershendetje JOQ, dua të raportoj një situatë të pazakontë që ka ndodhur sot në Portin e Durrësit. Prindërit e mi udhëtonin nga Ancona për në Durrës me linjën Adria. Gjatë natës kishte ndodhur një vjedhje – ju kishin hapur portofolin dhe u kishin marrë të gjitha lekët. Nuk ndodhi vetëm me familjarët e mi, por edhe me pasagjerë të tjerë. Prindërit e mi janë të moshuar dhe iu drejtuan personit përgjegjës, por ajo me arrogancë u kishte thënë se nuk mbajnë përgjegjësi dhe se nuk mund të japin informacion nëse ka apo jo kamera. Nuk pranoi as të telefononte policinë. Duket qartë që vjedhjet ndodhin në grup, madje me persona që punojnë aty. Mirë që nuk mbajnë përgjegjësi kur i vjedhin, por kur i vrasin a mbajnë? Apo atëherë kujtohen të ngrihen dhe të bëjnë sikur i mbrojnë. Jam shumë e shqetësuar. Si mund në vitin 2025 të ndodhin ende këto veprime? Ju lutem, postojeni. Të bëhet mesazh edhe për të tjerët. Jo, ishte shumë vonë për të bërë denoncim në polici. Edhe po ta bënim, çfarë zgjidhje do merrnim? Thjesht do merrnim një përgjigje si 'do ju telefonojmë'. Në traget ka persona për këtë punë, por ata nuk reaguan fare. Madje, kur dolën në port, gjetën një police, i thanë që i kishin vjedhur dhe as ajo nuk reagoi. Po, po flinin. Kishin çantën poshtë kolltukut, afër kokës. Ishin në një zonë pak të diferencuar nga të tjerët, nuk kishte shumë njerëz në qarkullim. Në mëngjes, kur u zgjuan, panë portofolin mbi çantë, të hapur. Një person tjetër pyeti: ‘S’ka kamera?’ Më duket shumë e çuditshme që të mos ketë kamera në holl. Nuk ishin në kabinë."