Therëse! Dy djemtë në gjendje të rëndë kërkojnë ndihmën tuaj

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 09.04.2025, 18:04

Xhuljana, një nënë e re nga fshati Osoj i Skraparit ka shkruar për ndihmë në redaksinë e JOQ Albania.

Ajo po përballet me sfida të mëdha në kujdesin për dy djemtë e saj, Sejdi 19 vjeç dhe Angjelo 14 vjeç, të diagnostikuar me autizëm dhe ataksi. Të dy fëmijët kërkojnë kujdes të vazhdueshëm, pasi nuk janë në gjendje të kryejnë veprimet bazë të përditshme dhe shpesh shfaqin sjellje agresive.

Për shkak të përkushtimit ndaj fëmijëve, Xhuljana nuk mund të punojë, ndërsa bashkëshorti i saj has vështirësi në sigurimin e të ardhurave të mjaftueshme për familjen, e cila përfshin edhe vajzën 3-vjeçare dhe vjehrrën 80-vjeçare.

Familja po shqyrton mundësinë e zhvendosjes në Tiranë për të aksesuar qendra të specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara, por sfidat financiare dhe frika nga pasiguritë e jetesës në kryeqytet e bëjnë këtë hap të vështirë.

Xhuljana bën apel për ndihmë nga institucionet dhe individët, duke theksuar nevojën për mbështetje në sigurimin e nevojave bazë, si p.sh., pampersat për fëmijët.

Kjo situatë nënvizon sfidat me të cilat përballen familjet shqiptare që kujdesen për fëmijë me aftësi të kufizuara, veçanërisht në zonat rurale, ku aksesimi i shërbimeve të specializuara është i kufizuar.

XHULIANA SHKRUAN

”Përshëndetje JOQ,

Unë që po ju shkruaj jam Xhuljana, nëna e dy djemve me aftësi ndryshe, Sejdi dhe Angjelo, të moshave 19 dhe 14 vjeç, të diagnostikuar me autizëm dhe ataksi. Jetoj në fshatin Osoj të Skraparit me dy djemtë, vajzën 3 vjeçe, burrin dhe vjehrrën 80 vjeçe, në kushte të vështira ekonomike, pasi nuk mundem të punoj për shkak të fëmijëve që kërkojnë kujdes 24 orë. Ata nuk kryejnë dot asnjë proces jetësor; as hanë vetë, as pinë, as flasin, as ecin, dhe kjo i bën shumë agresivë dhe të dhunshëm. Djali i madh ka 2 muaj që vetëm qan; nuk e di çfarë ka, kurse i vogli gjithë ditën bën “aaaaaa” pa pushim. Nuk më kupton njeri; vetëm ndonjëri që ka të njëjtin hall mund të më kuptojë sa keq ndihem, shumë herë dhe tepër e lodhur.

Këtë vit kam menduar të shkoj në Tiranë për t’i çuar në ndonjë qendër për fëmijë me aftësi ndryshe, por kam edhe shumë frikë. Burri po s’po ja del dot këtu në fshat e jo më në qytet; qiratë janë të shtrenjta. Prandaj, ju lutem të më ndihmoni sadopak, me aq sa keni mundësi, që fëmijët e mi të jenë të lumtur dhe të më ndryshojnë e të qetësohen nëpër qendra, t’u plotësoj nevojat bazë, sikur dhe me pampersa të më ndihmoni. Po ju lë një numër kontakti të flasim dhe t’ju vërtetoj gjithçka: 0684808619.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit