“Deti po merr plazhin te Pishat e Buta në Golem, qeveria dhe bashkitë flenë”

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 09.04.2025, 13:25

Në një kohë kur ndodhemi vetëm disa javë nga hapja e sezonit turistik të plazhit, një situatë shqetësuese raportohet nga banorët e Golemit të cilët thonë se deti po zvogëlon çdo vit e më shumë sipërfaqen e plazhit në zonën e Pishave të Buta.

Në një denoncim për JOQ Albania, qytetarja thotë se askush nuk ndërhyn për të bërë diçka në mënyrë që të parandalojë këtë fenomen.

Bashkia Kavajë bashkë me qeverinë flenë gjumë, dhe denoncuesja shton se e gjithë situata ka mbetur në dorë të bizneseve, të cilat e shfrytëzojnë akoma më shumë, duke vendosur vargje me gurë çdo 50 metër në mënyrë që të grumbullojnë sa më shumë rërë për hesapin e vet.

“Vjen vera 3 metër rërë nga deti që ka mbet qeveria ja jep hoteleve buzë detit dhe ne banorët e zonës detyrohemi të blejmë një copë vend te shezllonet e këtyre bizneseve pasi nuk lejnë as një pëllëmbë plazh publik”, shkruan denoncuesja.

Ajo thotë se situata është e ngjashme për kilometër të tëra, nga Mali i Robit deri ku zona ndahet me Golemin. Madje kur pedonalja është prishur disa herë, kanë qenë bizneset ato që kanë ndërhyrë për ta rregulluar.

“Mirë për banorët s’pyet njëri, po këto turistët që reklamojn kaq shumë me ça kushtesh do i presin?”, pyet qytetarja, duke bërë thirrje që institucionet përkatëse të marrin masa të menjëhershme.

Mesazhi i plotë:

“Përshëndetje! A mund të bëni një postim se si deti ka marrë komplet rërën te zona Pishat e Buta, Golem, Kavajë dhe askush nuk po ndërhyn të bëjë diçka. Bashkia Kavajë fle, qeveria fle. Çdo gjë ka ngelur në dorë të bizneseve të cilët e shkatërrojnë më shumë t’u hedh vargje gurësh çdo 50 metra me mbledh secili rërë për hesap të vet.

Vjen vera 3 metër rërë nga deti që ka mbet, qeveria ja jep hoteleve buzë detit dhe ne banorët e zonës detyrohemi të blejmë një copë vend te shezllonet e këtyre bizneseve, pasi nuk lejnë as një pëllëmbë plazh publik.

Përveç kësaj, kur fillon sezonin sjellin rërë me kamiona për të shtuar 1-2 metra që të vendosin shezllone. Plazh publik s’ka fare, sidomos zona ku fillojnë pishat e buta. E gjithë zona e Malit të Robit deri te ndarja me Golemin është kështu.

Disa herë është shemb dhe pedonalja, dhe e kanë rregulluar pedonalen aq, asnjë masë tjetër. Madje te pedonalja kanë ndëryhrë vetë bizneset.

Mirë për banorët s’pyet njëri, po këto turistët që reklamojn kaq shumë me ça kushtesh do i presin? E shkatërruan plazhin se bënë hotele duke prerë pishat, dhe tani po i hyn deti brenda.

Jemi komplekse pallatesh, të parët që janë bëeë durejr vija e parë pas hoteleve, dhe mirë se na prenë pishat që kishim para e dhanë leje për hotele, por tani as rërë e as det skemi më”, shkruan qytetarja në denoncimin e saj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit