Një qytetar nga Bilishti ka denoncuar në redaksinë tonë një situatë alarmante pasi në pazar po shiten për "qumësht", kova që dyshohet të kenë përmbajtur materiale radioaktive të rrezikshme.
Sipas denoncuesit, i cili është mjek me profesion, materiali në fjalë mund të jetë Molibden 99, një izotop radioaktiv që përdoret në mjekësi, por gjithashtu është i rrezikshëm për shëndetin publik.
Ai ka dyshime se ky lloj materiali mund ta ketë origjinën nga Polonia, dhe nga etiketat që shihen në fuçitë e gjetura, është e qartë se ka pasur shenja të kodeve ndërkombëtare të trajtimit të lëndëve radioaktive, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar. Molibdeni 99, i përdorur për aplikime mjekësore, ka një aktivitet të lartë radioaktiv – 80,71 GBq (80 miliardë e 710 milion Becquerel), që mund të shkaktojë rrezik të madh për shëndetin, sidomos nëse nuk trajtohet siç duhet.
Qytetari e ka cilësuar këtë situatë si të jashtëzakonshme, duke u bërë thirrje autoriteteve lokale që të marrin masa urgjente pasi shitja e tyre dhe përdorimi për qëllime shtëpiake mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve.
Ai u kërkon autoriteteve që të verifikojnë me kujdes origjinën e këtyre materialeve dhe të identifikojnë nëse ka ndodhur një shkelje e rregullave të sigurisë. Për më tepër, ai thotë se është e nevojshme që të kërkohet informacion i detajuar mbi përdorimin e Molibdenit 99 në Shqipëri, dhe nëse ka ndodhur ndonjë devijim nga protokollet e standardizuara për trajtimin e lëndëve radioaktive.
Qytetarët duhet të bëjnë kujdes pasi origjina dhe përmbajtja e këtyre kovave mbetet ende e paqartë dhe situata mund të përbëjë rrezik serioz.
Denoncimi i qytetarit:
Po shiten te pazari i Bilishtit, për "kova qumshti". Dozimetri që përdoret për mbrojtje nga Radiologët jepte alarm nga rreth 3m larg. Çfarë kanë patur brenda dhe ku mund të ndodhet ajo që ka qenë brenda mund të jetë urgjencë kombëtare. Nga Etiketa duket që ka pasur Molibden 99 Është material radioaktiv i rrezikshëm. 80,71 GBq (që dmth 80 miliard e 710 milion Becquerel) është rezatim i rrezikshëm.
Mesa duket nga Polonia Se ku ka përfunduar ajo që ka qenë brenda, çfarë sasie ka qenë, dhe përse ka hyrë është një pyetje serioze. Ka një protokoll se si trajtohet amballazhi i lëndëve radioaktive sepse edhe amballazhi përbën rrezik, e nëse ka përfunduar të shitet për kova qumshti në Bilisht mund të merret me mend sesi janë zbatuar protokollet
Në etiketë keni shenjën UN2915 që tregon protokollin e standartizuar ndërkombëtar që është I DETYRUESHËM të zbatohet, dhe po ta lexoni nuk besoj të gjeni përdorimin për kova qumshti. Në rastin në të mirë që arrij të përfytyroj ndonjë idjot mund ti ketë hedhur kovat në plehra (që është vepër penale në këtë rast) dhe dikush i ka marrë. A ka ndodhur vetëm njëherë apo ka kohë kjo do zbuluar
Gjithsesi fuçitë janë me kod, dhe është 100% e gjurmueshme se çfarë dore kanë qenë zyrtarisht për herë të fundit para se të bëheshin "kova qumshti" Kodi lexohet qartë në fuçi. Unë jam mjek. Molibdeni 99 ka përdorim edhe në mjeksi, por nuk kam dijeni nëse po përdoret aktualisht në Shqipëri dhe nga kush. Po ashtu për arsye pune jam i mirë informuar për standartet.
Ju shkrova se mendova që autoritetet lokale mund të mos dinë ta trajtojnë si duhet situatën dhe duke qenë se jemi në prag zgjedhjesh mund edhe ta mbyllin fare. Me aq sa janë dijet e mia, nuk arrij të përfytyroj një përdorim të mundshëm zyrtar të Molibdenit 99 në Bilisht dhe fakti që këto fuçi u shfaqën atje më duket shumë shqetësues