“Diskriminim dhe radhë të qëllimshme”, qytetari denoncon doganierët e Muriqanit

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 09.04.2025, 11:44

Një situatë shqetësuese është denoncuar nga qytetarët e Shkodrës që punojnë çdo ditë në Mal të Zi. Për shkak të kushteve më të mira të punës dhe pagave më të larta, shumë banorë të zonës udhëtojnë çdo ditë drejt shtetit fqinj, duke kaluar kufirin në pikën doganore të Muriqanit.

Por, sipas denoncimeve të shumta, ata përballen me pengesa të vazhdueshme në kalimin kufitar. Qytetarët raportojnë se punonjësit në pikën e traut krijojnë radhë të gjata të qëllimshme, duke favorizuar kalimin e disa personave vetëm kundrejt pagesave nën dorë.

“Jemi punonjës nga Shkodra. Ja çfarë ndodh në kufi me Malin e Zi, dhe pretendojmë që të shkojmë në Evropë me këta politiqenër. Në doganën e Muriqanit kemi nga 2 orë që po presim dhe kjo gjë ndodh edhe në darkë,” shkruan qytetari i revoltuar.

Pavarësisht shqetësimeve të shumta, banorët shprehen se nuk kanë ku të drejtohen, pasi institucionet përgjegjëse nuk reagojnë dhe as nuk marrin në konsideratë shqetësimet e tyre.

“Kjo gjë ndodh kur qeveria që kërkon mandatin e katërt fle për popullin dhe qëndron zgjuar për mafien dhe krimin. Kam 3 vjet që punoj dhe çdo ditë shikojmë diskriminim si nga punonjësit malazez po edhe nga tanët. Është e vështirë, s’ke ku drejtohesh, s’ke ku ankohesh,” shton denoncuesi.

Banorët i bëjnë thirrje autoriteteve që të marrin masa konkrete, në mënyrë që pritjet e gjata dhe padrejtësitë në kufi të mos jenë më pjesë e përditshmërisë së tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit