Tension te Ministria e Bujqësisë! Fermerët e midhjeve të Butrintit kanë hyrë në grevë urie prej disa orësh, duke refuzuar të lëvizin nga godina e institucionit, pas muajsh sorollatjesh dhe padrejtësish që, sipas tyre, po u bëhen me qëllim për t’ua marrë aktivitetin e tyre jetik.
Në një denoncim të dërguar pak minuta më parë për JOQ, fermerët shprehen se dikush ka tentuar t’i nxjerrë me forcë nga godina. Ata kanë dërguar edhe një video ku shfaqet një person që u kërkon të largohen, ndërkohë që ata deklarojnë: “Nuk largohemi pa marrë zgjidhje”.
Fermerët akuzojnë qartë se po përjashtohen nga aktiviteti i tyre për t’i hapur rrugë oligarkëve dhe partneriteteve të dyshimta, që sipas tyre po gllabërojnë çdo mundësi pune në zonë, duke u marrë të vetmen të ardhur për të mbajtur familjet.
Kujtojmë se para disa javësh, fermerët e midhjeve protestuan edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Sarandës, duke hedhur një arkë me midhje para këshilltarëve socialistë – një akt simbolik që, sërish, nuk mori asnjë reagim konkret.
Sot, situata ka arritur në pikën e shpërthimit. Grevë urie, tension, tentativa për nxjerrje me forcë – ndërsa institucionet... heshtin.