Kulla 16-katëshe te “Emin Duraku”, banorët paralajmërojnë protesta!

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 08.04.2025, 14:40

Anëtarët e Bordit të shkollës “Emin Duraku” u janë drejtuar më një letër publike Znj. Ogerta Manastirliu, Ministre e Arsimit dhe Sportit dhe Z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë ku shprehin shqetësimin e tyre lidhur më ndërtimin e një kulle 16-katëshe me katër kate parkim nëntokësor ngjitur me oborin dhe mjediset e shkollës “Emin Duraku”. Ata thonë se ky vendim nuk është thjeshtë një shkelje urbane, por një kërcënim serioz ndaj jetës dhe sigurisë së fëmijëve që ndjekin shkollën në këto ambiente. Banorët e zonës dhe prindërit që kanë zgjedhur shkollën "Emin Duraku" për fëmijët e tyre, kanë paralajmëruar protesta nëse problemi i tyre nuk merr zgjidhje.

Pse është shkelje flagrantë e ligjit?

Sipas banorëve, Shkolla “Emin Duraku” është një objekt arsimor me rëndësi të veçantë publike, dhe sipas legjislacionit në fuqi, asnjë ndërtim nuk duhet të lejohet ngjitur me ndërtesa të tilla. Leja për ndërtimin e një kulle shumëkatëshe, ngjitur me shkollën dhe oborrin e saj, është në kundërshtim flagrant me ligjin, me standardet e urbanistikës dhe me rregulloret e ndërtimit

Pse nuk është dhënë më herët një leje ndërtimi?

Ky projekt ka marrë miratim në mënyrë të pazakontë, ndërkohë që kërkesa të ngjashme për të njëjtin truall, janë refuzuar më parë pikërisht për shkak të afërsisë me shkollën dhe me tre pallatet përreth. Një leje ndërtimi për vetëm katër kate, e dhënë më 1998, është anuluar me një vendim gjyqësor të formës së prerë. Dhe ishte Ministria e Arsimit në atë kohë që e çoi anulimin e lejes në gjyq.

A e rrezikon kjo kullë jetën e nxënësve dhe sigurinë e tyre?

Ndërtimi i një objekti gjigant 16-katësh, me themele të thella për 4 kate parkim nëntokësor, përbën një rrezik të madh për jetën dhe sigurinë e fëmijëve tanë. Ky ndërtim masiv me 16 kate mbi oborrin e shkollës mund të jetë një rrezik permanent për jetën e nxënësve dhe mësuesve të shkollës “Emin Duraku”. Dhe ky rrezik nuk do të jetë i pranishëm vetëm gjatë fazës së ndërtimit, por do të jetë një rrezik permanent që mund të çojë në aksidente fatale

A kanë rëndësi kullat më shumë se sa arsimi?

Ndërtimi i një kulle 16-katëshe ngjitur me një shkollë trekatëshe do të bllokojë në mënyrë të plotë dritën natyrale në anën lindore dhe jugore të ndërtesës së shkollës. Kjo do të krijojë një ambient të errët dhe jo të shëndetshëm për mësim, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin dhe motivimin e fëmijëve.

Korrupsion dhe klientelizëm?

Sipas banorëve të zonës leja e ndërtimit është dhënë në rrethana të dyshimta, dhe në favor të një grupi të vogël individësh me lidhje të forta politike dhe administrative, përfshirë një ish-ministre kulture dhe përfaqësues të kompanisë ndërtuese.

Ku është shteti i së drejtës?

Leja është dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), në bazë të ligjit nr. 42/2019, i cili i jep KKT-së fuqi të pakufizuara, duke anashkaluar standardet e urbanistikës dhe kriteret e distancave ligjore midis godinave. Ky diskrecion i pakontrolluar bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës, duke lejuar vendimmarrje të paarsyeshme dhe të rrezikshme në dëm të interesit publik.

Cfarë kërkojnë banorët?

Anulimin e menjëhershëm të lejes së ndërtimit, dhënë në mënyrë të paligjshme dhe të rrezikshme.

Ndërprerjen e të gjitha punimeve, deri në verifikimin e plotë ligjor të projektit.

Hetim administrativ dhe penal për të gjitha palët e përfshira në miratimin e kësaj lejeje.

Rikualifikimin e zonës si hapësirë publike për komunitetin dhe shkollën.

Mbrojtje institucionale nga Ministria e Arsimit për interesin arsimor dhe sigurinë e fëmijëve.

A do të gjejnë ata mirëkuptimin e Ministres së Arsimit dhe Kryeministrit të vendit për mbrojtjen e brezave që zgjedhin të arsimohen në shkollën “Emin Duraku” ?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit