Koçiu mashtroi publikisht: Të verbrit ende nuk kanë marrë shpërblimin e fundvitit!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.04.2025, 22:58

Në dhjetor 2024, gjatë mbledhjes së fundit të vitit, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, njoftoi publikisht vendimin e qeverisë për t’u dhënë një shpërblim fundviti prej 15 mijë lekësh të rinj për 275 mijë individë dhe familje që përfitojnë nga programet e ndihmës sociale.

“Me vendimin e fundit të qeverisë shqiptare, u akordohet një shpërblim për festat e fundvitit kësaj kategorie. Për 275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social janë pikërisht 15 mijë lekë apo 150 euro që u akordohen familjeve në nevojë, fëmijëve pa kujdes prindëror, individëve që kanë statusin e para apo tetraplegjikë, si edhe statusin e të verbërve”, deklaronte ministrja. Ajo shtonte më tej se për herë të parë shpërblimin do ta merrnin edhe ndihmësit dhe kujdestarët e këtyre personave, gjithsej rreth 18 mijë individë.

Por afro 4 muaj më pas, realiteti dëshmon krejt të kundërtën.

Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim nga një qytetar, i cili rrëfen se vëllai i tij, person me statusin e të verbërit dhe me invaliditet, nuk ka marrë ende asnjë qindarkë nga shpërblimi i premtuar. Edhe ndihmësi që e shoqëron çdo ditë, i cili sipas ministres duhet të ishte përfitues, është lënë jashtë.

Denoncimi i qytetarit:

"Përshëndetje, desha të ndaj me ju një shqetësim. Ka 4 muaj që qeveria ka thënë se do përfitojnë shpërblim njerëzit me aftësi të kufizuara. Vëllai im është i verbër, me status dhe invalid. Ka edhe shoqëruesin e tij. Kaluan 4 muaj dhe asnjë shpërblim nuk e kemi marrë."

Rasti në fjalë ngre shqetësime të mëdha për mënyrën se si qeveria nuk i zbaton premtimet që bën publikisht. Ndërkohë që fondi i premtuar është bërë pjesë e bilanceve të propagandës qeveritare për fundvitin, qytetarët në nevojë, të cilëve u drejtohej konkretisht ky fond, vazhdojnë të presin kot.

JOQ Albania fton qytetarë të tjerë që ndodhen në situata të ngjashme të denoncojnë dhe të mos heshtin përballë padrejtësive.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit