“Ringjallet” Tirana, mposht Partizanin për herë të parë pas 10 ndeshjesh dhe largohet nga fundi i tabelës

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.04.2025, 22:12

Në një prej ndeshjeve më të rëndësishme të sezonit, Tirana ka marrë një fitore të madhe përballë rivalit të përjetshëm Partizanit, duke fituar pastër 3-0 në "Air Albania". Ky ishte suksesi i parë i bardhebluve në derbi pas më shumë se dy vitesh e gjysmë, që vjen në një moment vendimtar në luftën për mbijetesë.

Zharmuni ishte protagonisti absolut i sfidës me dy gola në pjesën e parë – një me kokë në minutën e 19-të pas një goditjeje dënimi që goditi traversën, dhe tjetri nga pika e bardhë në minutën e 41-të, pas një faulli me dorë të Ismajlit në zonë.

Në pjesën e dytë, bardheblutë ruajtën kontrollin, dhe gjetën edhe golin e tretë me anë të Ernest, i cili përfitoi nga një gafë e Sembenes, për të fituar penalltinë që e ktheu vetë në gol. Në minutën e 88-të, Keko shënoi një supergol nga distanca, por ai u anulua nga VAR për pozicion jashtë loje.

Me këtë fitore, Tirana i jep fund një serie prej 10 ndeshjesh pa fitore në derbi, duke shënuar fitoren e parë që prej 2 tetorit 2022 ndaj të kuqve. Po ashtu, kjo fitore u shërben bardhebluve për t’u larguar nga fundi i tabelës, duke kapur vendin e tetë me 35 pikë.

Bazuar në renditjen aktuale të Kategorisë Superiore, Tirana ka lënë pas Teutën dhe Laçin, ndërsa Partizani, pavarësisht humbjes, qëndron në vendin e katërt me 47 pikë, vetëm një më shumë se Elbasani.

Në javën e ardhshme, Tirana ka përballë një tjetër sfidë kyçe për mbijetesën, ndaj Skënderbeut në transfertë. Ndërkohë Partizani pret kryesuesit e Egnatias në një përballje të fortë për "Final 4".

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit