Ajet Lleshi, 27 vjeçari nga fshati Kishaj i Hasit, është gjetur pa shenja jete në malin e Pashtrikut, pas disa orësh kërkimesh të intensifikuara. Ai ishte nisur për të prerë dru në pyll që nga mëngjesi i djeshëm, por rreth orës 17:00, familjarët e tij humbën kontaktet me të. Pas këtij momenti, babai i të riut dhe tre xhaxhallarët e tij filluan kërkimet në mal, duke u ndarë në drejtime të ndryshme, por deri në orën 2 të mëngjesit, ata gjithashtu humbën çdo kontakt me të atin.
Menjëherë pas njoftimit të humbjes, forcat e Policisë, të shoqëruara me Emergjencat Civile dhe banorë të fshatit, nisën kërkimet intensive në zonë. Pas disa orësh, ata gjetën babain e Ajetit, Rizahun, në malin e Pashtrikut, në gjendje të rënduar fizikisht dhe psikologjikisht. Fatkeqësisht, gjatë kërkimeve më pas, u gjet edhe trupi i pajetë i Ajet Lleshit, duke i dhënë fund kësaj tragjedie që ka tronditur familjen dhe komunitetin.