Luleshtrydhet me pesticide erdhën nga Greqia nuk ishin të vendit, fermerët në protestë

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.04.2025, 18:08

Fermerët në Fier janë ngritur në protestë ditën e sotme, duke hedhur në tokë të gjithë prodhimin e luleshtrydheve, pas dyshimeve të ngritura nga pikat e grumbullimit se frutat e tyre mund të përmbajnë pesticide. Ata kërkuan ndërhyrjen e institucioneve shtetërore dhe ngritën akuza ndaj Autoritetit të Kontrollit Ushqimor (AKU), duke theksuar se ky organ nuk ka marrë asnjë kampion për të analizuar luleshtrydhet e kultivuara nga ta. Protesta e fermerëve vjen pas një skandali të fundit me importet e luleshtrydheve nga Greqia, që u identifikuan me pesticide të dëmshme.

Fermerët shprehën shqetësimin se ndërsa prodhimi i tyre është cilësor, asnjë kontrolle nga AKU nuk ka pasur për luleshtrydhet e kultivuara në këtë zonë. Ata kërkojnë që autoritetet të marrin masa dhe të analizojnë tokat ku rriten luleshtrydhet, duke theksuar se fermerët po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. "Në asnjë parcelë s'ka ardhur AKU, ndërsa ne po vuajmë për të shitur prodhimin. Të paktën, të na ndihmojë shteti", thanë ata.

Në total, rreth 300-400 fermerë janë prekur nga ky bllokim i prodhimit. Ata akuzuan pikat e grumbullimit për abuzime të ndryshme, duke përmendur faturat pa çmim dhe mungesën e subvencioneve për punën e tyre. Ndërkohë, përtej problemeve të natyrës financiare dhe administratës, fermerët janë të shqetësuar edhe për largimin e të rinjve nga vendi, duke u shprehur se brezi i ri po e lë Shqipërinë ndërsa qeveria kërkon që ata të kthehen për të punuar.

Kjo situatë përkeqësohet nga mungesa e reagimit të shpejtë të institucioneve shtetërore. Disa ditë më parë, një ngarkesë me speca që përmbanin pesticide u ndalua përmes sistemit të alarmit të ushqimeve, por nuk ka pasur njoftime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë. Edhe rasti i luleshtrydheve, që u konsumuan nga qytetarët, u bë publik vetëm pas disa ditësh, duke vënë në pah mangësitë në kontrollin e sigurisë ushqimore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit