ARRSH erdhi me fadroma, për të ngushtuar rrugën, të mos hyjë asnjë ambulancë, të dalë asnjë arkivol

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.04.2025, 15:19

Po të shkoni në kompleksin e pallateve Zaimaj shpk, në zonë e Freskut, do të gjeni aty një fadromë. E kanë lënë punonjësit e ARRSH që prej datë 14 mars ku një grup personash të prezantuar si inspektorë kanë tentuar të realizojnë punime ndërtimi pa asnjë dokument zyrtar apo leje ndërtimi. Nuk dihet saktësisht se cilat kompanive i takon ky projekt, por banorët thonë se është GPG COMPANY është njëra prej tyre. Ata janë të alarmuar nga ndërhyrjet e njëpasnjëshme dhe mungesa e transparencës në këtë çështje.

Banorët e zonës kanë shprehur shqetësimin e tyre pasi ata kërkojnë të ngushtojnë rrugën përreth pallatit, duke rrezikuar sigurinë e banorëve dhe izoluar kalimin e mjeteve të shërbimeve të urgjencës si ambulanca apo zjarrfikëset. Sipas banorëve, inspektorët kanë tentuar të realizojnë punime edhe pas datës 14 mars, duke e kryer këtë veprim në kundërshtim me ligjin dhe pa ndonjë leje të miratuar. Ata shtojnë se kanë kërkuar shpjegime dhe dokumente zyrtare nga institucionet përkatëse, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje dhe i është treguar vetëm një hartë.

"Ne jemi 95 familje që jetojmë këtu dhe nëse ata realizojnë këtë ndërhyrje, do të pengojnë kalimin e mjeteve urgjente si ambulanca dhe zjarrfikësja. Ata duan të futen në truallin tonë, por nuk na japin asnjë shpjegim të qartë," shprehen banorët. Ata gjithashtu theksojnë se projekti ka potencialin të rrezikojë jetën e fëmijëve, pasi shkolla 9-vjeçare ndodhet në afërsi dhe nxënësit nga shkolla dalin direkt në rrugën e makinave.

Banorët janë të shqetësuar edhe nga presionet e bëra nga inspektorët e ARRSH-së, të cilët, sipas tyre, kanë kërcënuar se do të sjellin policinë për t'i detyruar ata të pranojnë punimet. Ata pretendojnë ta prishin rrugën dhe të lënë vetëm 70 cm hapësirë për kalimin e mjeteve. "Ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë, sepse është djersa e fëmijëve tanë në emigrim, kur kemi blerë shtëpinë na është ofruar më 2750 m rrethim," përfunduan ata.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit