Vladimir Topjana është 43-vjeçari shqiptar që u vra me armë zjarri mbrëmjen e kaluar pranë një lokali në Fontanafredda, Itali.
Shqiptari ndodhej në lokal bashkë me djalin e tij për të ndjekur ndeshjen Roma-Juventus, kur u ekzekutua me tre plumba.
Autori i kësaj ngjarje të rëndë dyshohet se është Roger Shota, një 34-vjeçar shqiptar me banim në Sacile i cili mbërriti në vendngjarje, në lokalin pranë Sporting Milan Club, me një "Audi" të bardhë. Pas një debati me tone të larta, ku dhe klientët e lokalit ndërhynë për të qetësuar gjakrat, shqiptari ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar në drejtim të 43-vjeçarit.
Policia dhe autoambulanca kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, por për shqiptarin s'mund të bëhej asgjë. Trupi i pajetë i Topjanës ka mbetur në tokë, ndërsa zona është rrethuar për të lejuar hetimet mjeko-ligjore.
Krimi i dyshuar është vrasje e rëndë me paramendim dhe autori akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Me të ishte edhe babai i tij, 66-vjeçari Pren Shota, i cili dyshohet se është sulmuar fizikisht nga Topjana gjatë debatit para lokalit.