Një grup banorësh të lagjes Terzie në Shijak kanë denoncuar një situatë të paprecedentë, ku, pasi vendosën të mbulonin gropat në rrugë për të përmirësuar kushtet e jetesës, Policia e Shtetit i ka shoqëruar në Komisariat për ndërtim pa leje.
Banorët thonë se vendimin për shtrimin e rrugës me forcat e tyre e morën për të shmangur aksidentet dhe për të përmirësuar kushte e jetesës në lagjen e tyre, pasi kërkesat e vazhdueshme në bashki binin në veshë të shurdhër.
Por ky veprim i tyre është cilësuar si "ndërtim pa leje" dhe për më shumë se 3 orë janë mbajtur në stacionin e policisë në Shijak, duke dhënë dëshmi dhe shpjeguar veprimin e tyre.
Pasi 'janë lënë të lirë', banorët kanë shprehur indinjatën e tyre për trajtimin që kanë marrë nga shteti, duke e cilësuar si një "turp" për autoritetet që nuk janë angazhuar për të zgjidhur problemet e infrastrukturës në këtë zonë. Ata kërkojnë që shteti të marrë përgjegjësinë për këtë situatë dhe të sigurojë përmirësimin e kushteve, pasi ata janë detyruar të veprojnë vetë për infrastrukturën edhe pse janë taksapagues të rregullt.
Ky incident ka ngritur shqetësime mbi mungesën e investimeve për mirëmbajtjen e rrugëve dhe infrastruktura në disa zona, si dhe mbi reagimin e shtetit ndaj nismave qytetare për të përmirësuar jetesën në kushte të vështira.
Denoncimi i banorëve:
Pershendetje joq. Kjo eshte rruga qe kemi mbuluar gropat vete ne banoret me shpenzimet tona ne lagje te Shijakut Terezie, ja dhe shteti po na thot qe e jasht ligjshme pa marr leje. Kemi dhen Dhe Deklarat ne polici. Cfar turpi shteti jon Duhej te merrni leje Keshtu na than. Kemi ngel 3 or ne rajonin e policis shijak Duke dhen deshmi