Skandal në Serbi, policia dhunon dhe bastis futbollistët shqiptarë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.04.2025, 11:47

Një skandal i paprecedentë ka ndodhur gjatë dhe pas ndeshjes së Ligës Rajonale të Rrethit të Pçinjës, ku skuadra shqiptare KF Tërnoci u përball me ekipin vendas Mlladost në Bosilegrad.

Ajo që nisi si një përballje futbollistike përfundoi në një situatë të ngjashme me skena të filmave policorë, me dhunë, bastisje dhe tensione etnike që tronditën opinionin publik.

Sipas reagimit zyrtar të klubit KF Tërnoci, ekipi ka përjetuar një trajtim të padrejtë gjatë ndeshjes, ku vendimet e arbitrit dhe ndërhyrjet e dyshimta favorizuan ekipin vendas. Kjo çoi në një rezultat 2:1 për Mlladost, pas dhënies së dy kartonëve të kuq në mënyrë të kontestueshme për lojtarët e Tërnocit.

Pas përfundimit të ndeshjes, ngjarjet morën një kthesë dramatike. Një pjesëtar i sigurimit të stadiumit, për arsye ende të paqarta, ka kërkuar që policia të futet në fushë – një veprim që nuk lejohet pa autorizimin e delegatit të ndeshjes. Në një akt të paprecedentë, njëri nga policët ka goditur futbollistin Veton Zeqiri dhe ka fyer pjesën tjetër të ekipit. Më pas, policia ka hyrë me forcë në zhveshtore, duke kryer një bastisje të çuditshme në sendet personale të futbollistëve, nën pretekstin e kërkimit të armëve të ftohta, megjithëse nuk është gjetur asgjë.

Situata është përshkallëzuar më tej kur i gjithë ekipi i KF Tërnocit është shoqëruar në stacionin policor të Bosilegradit, ku kapiteni i ekipit ka dhënë një deklaratë, ndërkohë që futbollisti i dhunuar, Veton Zeqiri, nuk iu lejua të flasë për atë që kishte ndodhur. Pas një periudhe të tensionuar, klubi është liruar dhe është lejuar të largohet nga stacioni policor.

Drejtuesit e KF Tërnocit janë shprehur të shqetësuar për trajtimin e papranueshëm të ekipit dhe kanë theksuar se ky incident nuk është vetëm një shkelje e rregullave të sportit, por një tentativë për të krijuar tensione etnike. Ata besojnë se kjo ka qenë një skenar i mirë-organizuar, që ka për qëllim të krijojë përçarje dhe të destabilizojë atmosferën e ndershme dhe sportive.

Klubi ka kërkuar një hetim të plotë për këtë incident dhe ka shprehur shqetësimin se ngjarja mund të ketë ndikime negative për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sportin në rajon.

Reagim i KF Tërnoci:

Turpi dhe skenari i keq i Bosilegradit. Ja çka na ndodhi

Sot, ekipi ynë në frymën e sportit dhe Fer Plejit është paraqitur në stadiumin e Bosilegradit për të zhvilluar ndeshjen kampionale në kuadër të Ligës Rajonale të Rrethit të Pçinjës me skuadrën vendëse, Mlladost.

Gjatë tërë ndeshjes, u pa tendenca e nikoqirëve, në bashkëpunim me arbitrat, për të na dëmtuar në rezultat. Ashtu edhe ndodhi. Pasi na ndëshkuan padrejtësisht me dy kartona të kuq, ndeshja shkoi në 2: 1 në favor të vendësve.

Duke u pajtuar me fatin e ndeshjes, asnjëherë s’e kishim menduar se ky ishte fillimi i një drame për ekspeditën e klubit tonë.

Një pjesëtar i sigurimit në stadium, për arsye të panjohura, fton të futet policia në fushë, e cila pa lejen e delegatit nuk guxon ta shkel terrenin.

Me plot egërsirë dhe mllef, njëri nga policët godet futbollistin tonë, Veton Zeqiri, ndërsa ndaj të tjerëve pasojnë fyerjet e ndryshme.

Edhe këtu nuk ishte fundi.

Policia futet si në filma në zhveshtoren tonë duke kryer një bastisje tek gjërat personale të futbollistëve.

Në mënyrë të egër policët bastisin gjithçka nën pretekstin e kërmikimit të armëve të ftofta e çka jo tjetër.

Pasi nuk gjindet asgjë, skenari i dramës policore vazhdon me dërgimin e ekipit tonë në stacionin policor të këtij qyteti.

Këtu kërkohet nga kapiteni ynë të jepet deklaratë ndërsa nuk pranohet deklaratë të japë edhe futbollisti ynë i rrahur.

Krejt në fund, lihemi të lirë ndërsa deklaratën për dhunën policore do ta japim në stacionin e Bujanocit.

Në fund, konstatojmë se maltretini dhe dhuna e sotme në Bosilegrad ishte një skenar i përgatitur nga qarqe jashta futbollit dhe për nevoja krejtësisht tjera.

Shtrohet pyetja, nëse vërtetë policia ka pranuar informacione se ekipi ynë ka shkuar në Bosilegrad për incidente, pse ka lejuar të fillojë ndeshja? Pse ka lejuar ekspeditën e KF Tërnoci të futet në qytet,etj?

Po ndaj kujt patëm ne të shkaktojmë dhunë?

Ne jemi vetëm për futboll dhe sport si urë lidhëse mes popujve.

Por, siç po shihet kundër sportit e kundër një etnie të tërë janë të tjerët. Janë ata që thurrin skenare që u dalin aq qesharake.

Ditëve në vijim, do të shyrtojmë prezencën tonë në garat e mëtejme duke pasur parasysh në radhë të parë sigurinë dhe shëndetin e djelmoshve tanë si dhe duke mos rënë në grackë të atyre që përmes nesh dëshirojnë realizimin e qëllimeve të tyre politike apo etnike.

Në vazhdim ju sjellim pamje të ndodhive të sotme në Bosilegrad.

Nga kryesia e KF Tërnoci”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit