Vrasja e 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e cila u gjet e vrarë me disa plagë thike në qafë, ka tronditur Italinë dhe ka nxitur hetimet e autoriteteve të Romës. Aktualisht, dyshimet rreth ngjarjes janë intensifikuar, duke përfshirë mundësinë e përfshirjes së prindërve të Mark Samsonit, të dyshuarit kryesor për krimin. Hetuesit po shqyrtojnë rolin e mundshëm të tyre në pastrimin e vendit të krimit dhe fshehjen e trupit të viktimës.
Mark Samson, i cili është arrestuar për vrasje të rëndë dhe fshehje kufome, ka dhënë një version të ngjarjes që nuk ka bindur ende prokurorët. Sipas versionit të tij , brenda tre orësh ai i vetëm dhe pa ndihmën e askujt, ka futur trupin e Ilarias, e cila kishte tentuar të mbrohej para se të vdiste, në një valixhe pasi e ka mbështjellë me një qese të zezë dopio, ka pastruar dhomën e saj, hedhur thikën, leckat dhe tapetin e lyer me gjak në një kazan dhe më pas ka arritur në zonën ku ka hedhur trupin e saj në një shkëmb dhe është kthyer në shtëpi.
Ai ka pretenduar se ka vepruar i vetëm, por ka refuzuar të përgjigjet për pyetje konkrete rreth mundësisë së ndihmës nga të tjerë, përfshirë prindërit e tij. Nëna e tij e cila do merret sot në pyetje dyshohet mund ta ketë ndihmuar djalin e saj për të pastruar dhomën pas vrasjes së Ilarisë.
Hetuesit janë duke analizuar të dhënat e telefonave dhe pajisjeve elektronike për të zbuluar më shumë detaje mbi marrëdhënien ndërmjet Ilaria Sulës dhe Mark Samsonit.
Po ashtu, një ekspert psikiatrik do të vlerësojë gjendjen mendore të Mark Samsonit për të kuptuar më mirë motivet dhe mundësinë e ndikimit të tij në veprimet pas krimit. Ndërkohë, avokati i familjes së Ilaria Sulës ka kërkuar një analizë të thelluar të të dhënave digjitale, përfshirë smartfonin e Mark Samsonit dhe pajisjet e viktimës, për të kuptuar dinamikën e ngjarjes dhe arsyet që çuan në tragjedi.
Sot, në orën 14:00, do të bëhet varrimi i Ilaria Sulës në Terni. Kortezhi funerali do të niset nga shtëpia e familjes në Viale dello Stadio dhe do të shoqërojë trupin deri në varrezat e bashkisë, ku do të nderohet kujtimi i saj. Hetimet vazhdojnë për të zbardhur të vërtetën e plotë të ngjarjes dhe për të sjellë drejtësi për Ilarian.