Dita e sotme ka sjellë një ulje të ndjeshme të temperaturave në mbarë vendin, si dhe reshje të konsiderueshme shiu dhe bore në disa qytete. Në veçanti, zonat verilindore dhe juglindore të vendit janë përfshirë nga reshje intensive bore, të cilat kanë krijuar vështirësi të mëdha në qarkullimin rrugor.
Së fundmi, në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një denoncim nga një qytetar, i cili raporton se rruga që lidh Qafë Thanën me doganën e Kapshticës është bllokuar për shkak të reshjeve të dendura të borës. Sipas tij, deri në momentin e raportimit nuk ka shkuar asnjë borëpastruese në terren, duke lënë shumë automjete të bllokuara në rrugë.
Në një video të dërguar nga vendngjarja, shfaqet një segment rrugor i mbuluar plotësisht nga dëbora.
"Përshëndetje JOQ, publikojeni pak se kanë ngelur shumë makina. Është bllokuar rruga nga Qafë Thanë deri në doganën e Kapshticës, nuk ka ardhur asnjë borëpastruese," shprehet ai.
Situata paraqitet problematike në qytetet e Pogradecit dhe Korçës, ku reshjet e borës janë të dendura dhe kanë ndikuar në qarkullimin e automjeteve, si dhe raportohet për mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra.
JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve përkatëse të ndërhyjnë sa më shpejt për të pastruar rrugët dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve që udhëtojnë në këto zona të prekura nga moti i keq.