Banorët e Borizanës denoncojnë ndotjen e ajrit nga fabrika e çimentos dhe furrat e gëlqeres

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.04.2025, 21:58

Një qytetar nga fshati Borizanë, në njësinë administrative Nikël të Krujës, ka denoncuar në redaksinë e JOQ Albania ndotjen e rëndë që po i bëhet ambientit dhe banorëve të zonës nga aktiviteti industrial i fabrikës "Kruja Cement" dhe disa furrave të gëlqeres që operojnë aty pranë.

Sipas denoncuesit, këto subjekte ushtrojnë aktivitetin e tyre pa asnjë masë sigurie apo sistem filtrimi, duke lëshuar në ajër sasi të mëdha pluhuri dhe mbetjesh toksike. Ai ka dërguar edhe një video, në të cilën duket qartë një sasi e konsiderueshme tymi dhe pluhuri gri që ngrihet në ajër dhe përhapet në mjedisin përreth, duke ndotur rëndë atmosferën dhe rrezikuar shëndetin e banorëve.

Në mesazhin e tij, qytetari shkruan:

“Mirëmbrëma, dua të shpreh shqetësimin në lidhje me ndotjen dhe helmimin që po na bëhet në fshatin Borizanë të Krujës nga fabrika 'Kruja Cement' dhe nga furrave të gëlqereve, që vazhdojnë pa pikë sigurie dhe pa pikë sistemi filtrimi aktivitetin e tyre! Gjynah për këtë ekosistem të bukur që Shqipëria ka dhe ne, për të mbushur xhepat, po e shkatërrojmë. Sinqerisht, ndonjëherë më vjen turp që jam shqiptar! Turp, turp!”

Pamjet filmike të dërguara nga qytetari pasqyrojnë një situatë alarmante për mjedisin dhe shëndetin publik. Ndotja duket se ndodh në mënyrë të vazhdueshme dhe në hapësirë të gjerë, duke krijuar re të dendura pluhuri që përhapen drejt zonave të banuara.

Pavarësisht rëndësisë së çështjes dhe pasojave të drejtpërdrejta që mund të ketë për komunitetin lokal, deri më tani nuk është raportuar për asnjë reagim nga institucionet përgjegjëse për mjedisin.

JOQ Albania fton institucionet përkatëse të reagojnë dhe të marrin masa për të hetuar situatën dhe garantuar mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve në zonën e Borizanës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit