SHBA ndalon marrëdhëniet romantike apo seksuale të personelit të saj në Kinë me shtetasit kinezë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 06.04.2025, 20:34

Qeveria amerikane ka ndaluar të gjithë personelin e saj zyrtar në Kinë, përfshirë familjarët dhe kontraktorët me certifikata sigurie, të kenë marrëdhënie romantike apo seksuale me shtetasit kinezë, sipas një raportimi të Associated Press.

Ky vendim është marrë nga ambasadori i larguar Nicholas Burns në janar, pak para se të linte postin. Politika u komunikua në mënyrë elektronike dhe verbale, por nuk është bërë publike zyrtarisht.

Megjithëse disa agjenci amerikane kishin rregulla të rrepta mbi këto marrëdhënie, një ndalim i përgjithshëm i tillë nuk ishte parë që nga Lufta e Ftohtë. Deri më tani, diplomatëve amerikanë u lejohej të kishin marrëdhënie me vendas në vende të ndryshme, përfshirë Kinën, me kusht që t’i raportonin.

Ky ndalim i ri prek ambasadën në Pekin dhe konsullatat në Guangzhou, Shanghai, Shenyang, Wuhan dhe Hong Kong. Personeli me marrëdhënie të mëparshme me shtetas kinezë mund të kërkojë përjashtim, por nëse refuzohet, duhet ose të ndërpresin lidhjen ose të largohen nga detyra.

Arsyeja pas këtij vendimi lidhet me shqetësimet e sigurisë kombëtare. Uashingtoni ka raportuar më parë raste kur agjentë kinezë kanë përdorur lidhje romantike për të përfituar informacione sekrete nga zyrtarë amerikanë, në atë që njihet si taktika e “honeypot”.

Ish-analisti i CIA-s, Peter Mattis, tha se Kina vazhdon të shfrytëzojë çdo lidhje personale për të mbledhur informacione. Sipas tij, Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit është bërë më agresive në përpjekjet për të depërtuar në rrjetet amerikane diplomatike.

Ndërkohë, edhe vetë Kina ka rregulla të rrepta për zyrtarët e saj, duke ua ndaluar marrëdhëniet me të huaj dhe duke ua kufizuar udhëtimet jashtë vendit pa leje të posaçme.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit