Një situatë e pazakontë po ndodh prej datës 4 prill 2025 ku raportohet se disa qytetarë në Shqipëri janë telefonuar në mënyrë të dyshimtë nga numra të panjohur ndërkombëtarë.
Në redaksinë e JOQ Albania qytetarët raportojnë se pas thirrjeve kanë marrë mesazhe me kode verifikimi, veçanërisht për aplikacionin Viber, të cilat ata nuk i kanë kërkuar.
Në pamjet e dërguara nga një prej qytetarëve, shfaqen telefonata të panjohura nga vende si Singapor, Austri, Vietnam, Gjermani, Kore e Jugut, Zvicër, Norvegji, Itali dhe Filipine, të gjitha brenda një harku të shkurtër kohor. Kjo valë thirrjesh të dyshimta ka shkaktuar panik dhe konfuzion tek ata.
“Që prej mbrëmë familjarë dhe shoqëria jonë po marrim telefonata të çuditshme nga numra të huaj.Pas thirrjeve vijnë mesazhe me kode verifikimi për Viber, që nuk i kemi kërkuar fare! Kemi 4 telefona në shtëpi dhe të gjithë kanë të njëjtin problem prej 04.04.2025 deri më 05.04.2025”, shprehet një prej denoncueseve.
Çfarë mund të jetë kjo?
Kjo mund të jetë një tentativë mashtrimi apo sulmi kibernetik për të hyrë në llogaritë tuaja të komunikimit përmes kodeve të verifikimit që dërgohen në mënyrë automatike pasi keqbërësit kërkojnë qasjen në to.
Çfarë duhet të bëni?
-Mos ju përgjigjni thirrjeve të panjohura ndërkombëtare.
-Mos klikoni në asnjë link apo kod që ju vjen menjëherë pas thirrjeve.
-Mos fusni asnjë kod verifikimi në aplikacione nëse nuk i keni kërkuar vetë.
-Aktivizoni verifikimin me dy hapa në aplikacionet tuaja për të rritur sigurinë.
-Denonconi rastet pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike apo policisë.
⚠ Kujdes: Mos u bëni viktimë e mashtrimeve kibernetike!