Një kliente ka denoncuar praninë e një produkti të skaduar në raftet e një supermarketi të rrjetit Big Market në Elbasan, konkretisht në lagjen 'Dyli Haxhire'.
Në foton e siguruar nga JOQ Albania, duket qartë se sallami i markës TONA ka datë skadence 27.03.2025, ndërkohë që fotoja është bërë sot, më 5 prill 2025, që do të thotë se produkti është jashtë afatit të përdorimit prej disa ditësh.
Qytetarja shkruan:
"Përshëndetje JOQ! Dua të denoncoj një produkt të skaduar që u gjend në raftet e një pike të rrjetit Big Market. Ky produkt është i skaduar dhe vazhdon të ofrohet për konsumatorët, gjë që përbën rrezik për shëndetin publik. Ku është AKU?! Stafi tha që ka ndodhur një gabim dhe se do e rregullojnë. Por nuk është hera e parë që gjej produkte të skaduara."
Ky rast ngre shqetësime serioze për sigurinë ushqimore në vend, duke shtuar nevojën për kontrolle më rigoroze nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe institucionet përkatëse. Ajo apelon që të merren masa, pasi sipas tij situata nuk është e izoluar dhe nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla në këtë rrjet marketesh.