Shqiptari sjell nga Barcelona pamje nga protesta kundër rritjes së çmimit të qirave në Spanjë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 05.04.2025, 22:42

Këtë të shtunë, qindra mijë qytetarë në mbi 40 qytete të Spanjës dolën në protestë kundër rritjes së çmimeve të qirave dhe mungesës së banesave me kosto të arsyeshme. Kjo ndodh në një kohë kur Spanja ka ekonominë me rritjen më të shpejtë në Europë, por përballet me një krizë të madhe banesash, e cila po thellohet nga rritja e numrit të turistëve.

Një shqiptar që jeton në Barcelonë ka dërguar në redaksinë e JOQ Albania një video nga protesta që u zhvillua në këtë qytet, ku mijëra qytetarë marshonin rrugëve nën thirrjet për strehim me kosto përballueshme, ndërsa shpërthenin fishekzjarre në ajër, një formë simbolike dhe e zhurmshme proteste që tregonte intensitetin dhe revoltën e pjesëmarrësve.

Në Madrid, mbi 150 mijë persona protestuan në rrugë duke brohoritur: "Nuk ka rëndësi kush është në pushtet, ne duhet të mbrojmë të drejtën për të pasur një shtëpi!" Aktivistët valëvitën çelësa si simbol i protestës kundër dëbimeve nga banesat, të cilat po lirohen për t'u kthyer në apartamente për turistët.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, çmimet e qirave në Spanjë janë dyfishuar, ndërsa çmimet e shtëpive janë rritur me 44%, një ritëm shumë më i shpejtë se rritja e pagave. Numri i banesave që jepen me qira ka përgjysmuar që nga pandemia e vitit 2020.

"Po na nxjerrin të gjithëve nga shtëpitë për t'i kthyer apartamentet në strehime për turistët," tha Margarita Aizpuru, 65 vjeçe, nga lagjja e njohur Lavapiés. Ajo shtoi se rreth 100 familje në këtë lagje kanë marrë njoftim se kontratat e tyre nuk do të rinovohen.

Shumë pronarë preferojnë të mos i japin banesat me qira afatgjatë, pasi fitojnë më shumë dhe kanë më shumë siguri me qiratë e shkurtra për turistët. Spanja priti një numër rekord prej 94 milionë turistësh në vitin 2024, si dhe një fluks të madh emigrantësh, duke e thelluar edhe më tej mungesën e banesave – një deficit prej rreth 500 mijë banesash, sipas Bankës së Spanjës.

"Problemi nuk është vetëm në qendër. Qiratë janë të papërballueshme kudo," tha Wendy Davila, 26 vjeçe. "Nuk është normale që për të jetuar në Madrid, duhet të ndash një apartament me katër persona të tjerë."

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit