Qindra mijëra njerëz në 40 qytete spanjolle protestuan sot kundër rritjes së çmimeve të qirasë dhe mungesës së banesave të përballueshme.
Qeveria po përpiqet të gjejë një balancë mes tërheqjes së turistëve dhe emigrantëve për të mbushur vendet e punës, dhe ruajtjes së qirave të përballueshme për qytetarët spanjollë. Megjithatë, rritja e numrit të pronave për turistët ka bërë më të vështirë kontrollimin e çmimeve të qirasë.
“Pavarësisht se kush është në qeveri, ne duhet të mbrojmë të drejtat e strehimit,” bënin thirrje demonstruesit duke tundur zinxhirët e çelësave në Madrid.
Në dekadën e fundit, sipas të dhënave nga uebsajti i pronave "Idealista", qiratë mesatare janë dyfishuar dhe çmimet e banesave janë rritur me 44% , duke tejkaluar shumë rritjen e pagave. Në të njëjtën kohë, oferta e banesave me qira është përgjysmuar që nga pandemia e vitit 2020.