Një qytetar shqiptar ka denoncuar pranë redaksisë së JOQ Albania një incident të ndodhur në pikën kufitare të Hanit të Hotit, ku sipas tij, policia e Malit të Zi ka ushtruar sjellje të pahijshme dhe të pajustifikuar ndaj një qytetari shqiptar, që po udhëtonte me automjet bashkë me familjen me fëmijë të mitur.
Sipas qytetarit, ngjarja ndodhi teksa qytetari dhe familja e tij po hynte nga Mali i Zi në Shqipëri. Ai shprehet se pa ndonjë arsye të qartë, një punonjës i policisë malazeze e keqtrajtoi siç duket në video dhe më pas e futi në ambientet e brendshme të doganës.
Qytetari thekson se kjo nuk është hera e parë që ndodhin ngjarje të tilla dhe se i njëjti polic ka ushtruar sjellje të ngjashme ndaj udhëtarëve të tjerë shqiptarë.
Ai apelon për vëmendje ndaj këtij problemi dhe kërkon që autoritetet përkatëse të reagojnë për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve shqiptarë në kufi.
Mesazhi i qytetarit:
“Përshëndetje JOQ, shikoni se si trajtohen kalimtarët shqiptarë në doganën e Hanit të Hotit nga policia e Malit të Zi. Ishte në automjet, me familjen me fëmijë të vogël. Nuk e di arsyen, por kjo ndodh shpesh nga i njëjti doganier. Nga Mali i Zi po hynte në Shqipëri. Pas kësaj, e futën brenda me forcë, në ambientet e doganës, dhe e mbajtën aty”.