Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Fllakës, në Durrës.
Sipas informacioneve paraprake, një 16-vjeçar, i cili drejtonte një automjet tip Volkswagen, ka përplasur për vdekje një këmbësor në aksin rrugor Fllakë-Bisht Kamëz. Viktima, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik, ka ndërruar jetë në vend si pasojë e goditjes së fortë.
Adoleshenti, që nuk kishte leje drejtimi, nuk ka pësuar lëndime nga aksidenti dhe aktualisht ndodhet në pranga, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Burime nga policia bëjnë me dije se efektivët kanë kontrolluar edhe një kanal pranë rrugës, për të përjashtuar mundësinë që të ketë edhe persona të tjerë të përfshirë apo të dëmtuar nga aksidenti.
Ky rast ngre edhe një herë shqetësimin mbi drejtimin e automjeteve nga persona të mitur dhe mungesën e kontrollit në disa zona të vendit.
Hetimet janë në vijim.