Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një mesazh nga banorët e fshatit Babje në Librazhd, të cilët shprehen mirënjohës për ndërhyrjen e Bashkisë dhe Drejtorisë së Rrugëve të Elbasanit për vendosjen e kanalizimeve dhe tubacioneve. Ata theksojnë se puna është kryer në kohë rekord dhe falë përkushtimit të punëtorëve që kanë punuar edhe jashtë orarit.
Megjithatë, banorët ngrenë akuza të forta ndaj përgjegjësit të rrugës, Shpëtim Dosku, i cili sipas tyre e ka lënë punën përgjysmë dhe në fund i ka braktisur. Sipas denoncimit, zhavorri i sjellë për përfundimin e rrugës është lënë në vend dhe përgjegjësi u ka thënë banorëve “merrni lopatën dhe përhapeni vetë”, pavarësisht se ata janë të moshuar dhe të pafuqishëm.
“Jemi 5-6 familje, të gjithë pensionistë, disa me probleme shëndetësore. E kemi kërkuar këtë ndihmë sepse nuk kemi mundësi të dalim vetë në rrugë, por tani jemi lënë në mëshirë të fatit”, thuhet në mesazhin drejtuar redaksisë.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe marrjen e masave ndaj zyrtarit që, sipas tyre, ka shpërdoruar detyrën dhe ka abuzuar me pozitën që mban në komunitet.
Mesazhi i tyre:
"Pershendetje, do t'ju dërgoj një rast që na ka ndodhur nga përgjegjësi i rrugëve i bashkisë Librazhd. Nëse është e pranueshme, dërgoj edhe fotot e përgjegjësit të rrugës i cili ka shpërdoruar detyrën shumë keq, sepse është një figurë e njohur për qarkun Librazhd, përgjegjës i rrugës dhe mbështetës i madh i Partisë Socialiste. Do t'ju lutem ta merrni seriozisht, sepse jemi 6 familje dhe kemi pjesëtarë të sëmurë që nuk mund të lëvizin. Fshatin Babje e kanë lënë në mëshirë të fatit. Përgjegjësi Shpëtim Dosku."