Një skenë shqetësuese është raportuar në fshatin Arameras të Fushë-Krujës. Rreth orës 22:30, një burrë i dehur ka dalë në mes të rrugës, duke mbajtur në dorë një gur të madh dhe duke ndaluar makinat që kalonin, me pretendimin se donte para.
Denoncimi ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetare e alarmuar, e cila rrëfen momentet e frikshme që përjetoi teksa udhëtonte me automjetin e saj. Sipas saj, burri jo vetëm që kërcënonte shoferët, por edhe përpiqej të futej nëpër makina për të marrë paratë.
“Futi duart nga dritarja dhe u përpoq të më merrte leket. E shtymë me derë dhe i dhamë gaz makinës”, tregon ajo.
Sipas saj, personi në fjalë 'kundërmonte era alkool, bënte veprime të çuditshme, bërtiste pa arsye dhe nuk mbante ekuilibrin kur ecte'.
Më tej, ajo shprehet se burri vijoi të qëndronte në rrugë edhe pasi ata u larguan, duke u dalë makinave të tjera përpara dhe rrezikuar seriozisht jetën e drejtuesve të mjeteve, veçanërisht për faktin se aksi ku ndodhi ngjarja, është pa ndriçim publik dhe me pamje të kufizuar.
Apelohet për ndërhyrjen urgjente të policisë lokale, për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme. Qytetarët ndihen të pasigurt dhe kërkojnë që ngjarje të tilla të mos mbeten pa reagim.