Një situatë alarmante po ndodh prej disa kohësh në zonën e Freskut, ku disa të rinj të lagjes sulmojnë me gurë autobusin e linjës së Porcelanit. Sipas denoncimeve të qytetarëve, ky veprim është përsëritur disa herë, duke rrezikuar seriozisht pasagjerët dhe drejtuesit e mjetit.
Ngjarjet ndodhin në Rrugën Fadil Deliu, pranë shkollës 9-vjeçare "17 Shkurti" dhe një çerdheje për fëmijë, çka e bën edhe më shqetësuese këtë situatë, pasi mund të ketë pasoja të rënda për qytetarët e zonës. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet për të parandaluar ndonjë aksident të mundshëm.
Njëri prej tyre ka dërguar këtë mesazh alarmues:
"Pershendetje JOQ. Janë disa të rinj të lagjes këtu në Fresk, që me gurë i bien autobusit të linjës së Porcelanit. Këtë veprim e kanë bërë disa herë. Adresa: Rruga Fadil Deliu, pranë shkollës 9-vjeçare '17 Shkurti'. Poshtë pallatit ndodhet edhe një çerdhe fëmijësh. Është një çështje që na shqetëson shumë, pasi nesër në autobus mund të jetë pasagjer çdokush nga ne. Faleminderit!"
Banorët kërkojnë ndihmën e institucioneve për të ndalur këtë sjellje të rrezikshme para se të ndodhë një incident i rëndë.