Një situatë e pazakontë ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në një pikë këmbimi valutor në zonën e Zogut të Zi, Tiranë. Një punonjëse e re e exchange-it ka bërë një gabim gjatë një transaksioni, duke i dhënë një qytetareje 100 mijë lekë më shumë sesa shuma e saktë që duhej të merrte në këmbim të 800 eurove.
Sipas mesazhit të dërguar nga vetë punonjësja, zonja që mori paratë ndoshta për shkak të nxitimit, mund t’i ketë marrë pa keqdashje. Tashmë, vajza që ka bërë gabimin detyrohet ta mbulojë atë vlerë nga xhepi i saj dhe apelon për ndihmë.
Ajo ka bërë një thirrje publike për zonjën që mori shumën e tepërt, duke e ftuar ta kthejë si një gjest njerëzor. Më poshtë, mesazhi i saj:
"Përshëndetje JOQ, unë jam një vajzë që punoj në një exchange në Zog të Zi, Tiranë. Sot, rreth orës 14:00, një zonjë erdhi për të këmbyer 800 euro në lekë. Duke qenë se jam punonjëse e re, bëra një gabim dhe i dhashë 100 mijë lekë më shumë. Ju lutem, postojeni këtë apel, nëse ajo mund t’i kthejë, sepse përndryshe duhet t’i paguaj unë vetë. E kuptoj që gabimi është i imi, por edhe nga ana e saj do të ishte një gjest njerëzor nëse i kthen. Zonja e di vetë, sepse e pa që i dhashë më tepër, por ndoshta i mori nga shpejtësia. Faleminderit nëse e postoni.”
Nëse personi që ka marrë shumën e tepërt e lexon këtë mesazh, kthimi i saj do të ishte një veprim i drejtë dhe i ndershëm.