Mark Antony Samson, një 23-vjeçar filipinez, ka pranuar se vrau dhe hodhi trupin e pajetë të ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, në një greminë.
Ai shpjegoi në gjykatë se vrasja ndodhi mëngjesin e 26 marsit, pasi Ilaria kishte kaluar natën në shtëpinë e tij për të shmangur transportin publik. I dyshuari shpjegoi se e reja kishte shkuar në shtëpinë e tij mbrëmjen e 25 marsit për t’i kthyer disa nga rrobat e tij.
Sipas 23-vjeçarit, ai dhe Ilaria i kishin dhënë fund lidhjes, që kishte vazhduar prej disa muajsh me ulje-ngritje.
“Unë i bëra të gjitha vetë”, është shprehur ai në gjykatë, ndërsa ka heshtur kur është pyetur për rolin e prindërve të tij, të cilët kanë qenë në shtëpi natën që ndodhi krimi.
Samson ka rrëfyer se ngarkoi trupin e pajetë të Ilarias në makinë, pasi e futi në valixhe dhe e hodhi në greminë. Gjithashtu, ka pohuar se e pastroi vetë vendin ku ndodhi ngjarja në banesën e tij.
Prindërit e tij nuk janë nën hetim, por po shqyrtohet roli i tyre për të kuptuar nëse kanë ndihmuar në fshehjen e trupit.