Një mesazh shqetësues ka ardhur në redaksinë tonë lidhur me institucionin e Urdhrit të Stomatologut në Shqipëri, i cili sipas qytetares është inekzistent.
Qytetarja shprehet se ka bërë provimin e rilicensimit në degën e stomatologjisë dhe ASCK-ja e ka njoftuar se provimin e ka kaluar dhe vendimin ia ka dërguar Urdhrit të Stomatologut në datën 13.03.2025, por ky i fundit mohon marrjen e vendimit dhe refuzon të japë shpjegime.
Përveç kësaj, qytetarja ka hasur vështirësi në pagesën e tarifës vjetore, e cila, ndryshe nga vitet e kaluara kur kryhej në bankë, tani kërkohet të bëhet dorazi.
Për shkak të kësaj situate, qytetarja nuk mund të ushtrojë profesionin e saj. Kërkohet ndërhyrja urgjente e autoriteteve për të garantuar funksionimin e rregullt të institucionit dhe për të shmangur dëmtimin e profesionistëve të fushës.
Mesazhi i qytetarit:
“Jam stomatologe me profesion. Ju shkruaj juve, sepse aktualisht institucioni i Urdhrit të Stomatologut në Shqipëri është inekzistent dhe nuk e di se kujt mund t’i drejtohem në këtë rast.
Kam bërë provimin e rilicensimit, dega Stomatologji, dhe ASCK më njofton që provimin e kam kaluar dhe vendimin ia ka dërguar Urdhrit të Stomatologut në datën 13.03.2025. Ndërkohë, këta të fundit thonë që s’na kanë dërguar gjë dhe nuk japin asnjë shpjegim. Po bëhen tre javë dhe situata mbetet e njëjtë.
Ndërkohë, për pagesën e tarifës vjetore të Urdhrit, ju kërkoj llogarinë bankare për ta bërë pagesën si çdo vit, dhe më thonë që bëhet dorazi. Një mungesë totale informacioni dhe përgjegjësie. Në këto kushte, as nuk punoj dot, as nuk hap dot asnjë lloj aktiviteti pa licencën e rinovuar.”