Skandal pas skandali, kësaj herë shqiptarët duhet të kujtohen se kur kanë ngrënë luleshtrydhe për herë të fundit. Sipas AKU, shqiptarët, pas mandarinave me fosmet, filetove me salmonelë lajmërojnë se kemi konsumuar edhe luleshtrydhe me pesticide të rrezikshme të importuar nga Greqia.
Clofentezine, Cyprodinil, Avermectin Bla, dhe Fludioxonil janë pesticide të njohur për efektet e dëmshme që mund të shkaktojnë te njeriu, duke përfshirë probleme shëndetësore afatgjata. Se sa janë konsumuar nuk e dimë, por pasi janw ngrënë ngarkesat e para AKU ka urdhëruar që të gjitha ngarkesat e reja të luleshtrydheve që hyjnë nga Greqia të bllokohen në pikat kufitare dhe të analizohen përpara se të lejohen në treg.
Një nga ngarkesat e gjetura me mbetje pesticideve është ajo që ka mbërritur në Shqipëri më 1 prill 2025, dhe që është analizuar për praninë e pesticidit Clofentezine. Një tjetër ngarkesë, e mbërritur më 17 mars 2025, ka rezultuar e kontaminuar me pesticidet Cyprodinil, Avermectin Bla, dhe Fludioxonil. Kjo ka ngritur shqetësime të mëtejshme, pasi këta pesticide janë gjithashtu të njohur për rrezikun që mund të shkaktojnë te njerëzit.
Për më tepër, në datën 5 mars 2025, është konstatuar një ngarkesë tjetër e kontaminuar me Hexythiazox, po ashtu një pesticid që paraqet rrezik për shëndetin e njeriut. Pavarësisht se sasia e saktë që ka mbërritur dhe është shpërndarë nuk është bërë publike, AKU ka njoftuar operatorët ushqimorë për të kthyer çdo produkt të papërdorur në rast se e kanë ende në magazinat e tyre.