Në një vend ku drejtësia ka kohë që është kthyer në një farsë të lodhur, një tjetër skandal ushqimor dhe moral godet si me thikë, por si zakonisht, pa pasoja për ata që duhen dënuar. Arben Goxha, administratori i kompanisë AMG Food, i cili u kap pasi solli në Shqipëri 18 tonë mish pule të infektuar me salmonelë, është lënë i lirë, me procedim në gjendje të lirë, sepse si duket, në këtë vend helmimi i qytetarëve konsiderohet një çështje administrative dhe jo kriminale.
Mishi i ndotur, me fatura fiktive dhe me dokumentacion të manipuluar, u shpërnda pa asnjë problem në treg, ndërsa AKU u kujtua të bëjë sikur punon pasi bakteret kishin bërë rrugëtimin e tyre të plotë nëpër frigoriferët dhe barqet e qytetarëve që paguajnë taksa, por nuk marrin as mbrojtjen minimale nga shteti i tyre
Çfarë ndodh më pas? Një pronar që importon helm lirohet, një vëlla që i ndihmon në prapaskenë “merret në hetim”, ndërsa tre inspektorë të AKU-së procedohen për shpërdorim detyre. Të gjithë me kokën ulur jo për fajin, por për kamerat, sepse e dinë që gjithçka do mbyllet me ndonjë gjobë qesharake ose me ndonjë “parandalim” të rastësishëm që do shitet si sukses.
Ndërkohë, në vendet normale të botës, një rast i tillë do shkaktonte dorëheqje masive, hetime të thella, burgime të menjëhershme dhe ndoshta kompensim për qytetarët e rrezikuar. Por në Shqipëri mjafton një bisedë me prokurorin, dhe ti, zotëri që solle mishin e vdekjes, shkon në shtëpi i qetë, ndoshta për të përgatitur dërgesën tjetër, ndoshta për të gjetur ndonjë bakter të ri që nuk është bërë akoma “trend” në tregun tonë.
Ky nuk është më një lajm, është një aktakuzë ndaj një sistemi që i ka kthyer qytetarët në kavie eksperimentale, ku çdo darkë mund të jetë një ruletë me bakterie dhe çdo blerje ushqimore një rrezik për jetën. Ndërsa zyrtarët, biznesmenët dhe helmbërësit shëtisin të lirë, sepse këtu nuk dënohet ai që rrezikon jetën, por vetëm ai që s’ka lidhje apo lekë.
Nëse nesër ndodh ndonjë tragjedi, do na thonë përsëri se “po hetohet rasti” ndërsa ne do vazhdojmë të hamë, të helmohemi dhe të heshtim, sepse kjo është Shqipëria: Vendi ku salmonela ka më shumë të drejta sesa njeriu.
Në këtë vend, edhe bakteret ndihen të mbrojtura nga ligji – mjafton të kenë mbështetje politike ose një faturë fiktive në xhep.