Del autopsia: Shqiptarja u godit 3 herë me thikë në qafë nga ish-i dashuri

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 04.04.2025, 09:55

Në vijim të hetimeve për vrasjen tragjike të 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore të La Sapienza ka zbuluar se ajo u godit tri herë me thikë në qafë dhe vdiq nga shoku hemorragjik.

Trupi i saj u gjet më pas në një valixhe, 40 kilometra larg Romës. Pavarësisht këtyre rezultateve, autopsia nuk mund të përcaktojë ende ditën dhe orën e vdekjes, dhe do të nevojiten analiza të mëtejshme për këtë çështje.

Ish-i dashuri i Ilaria Sulës, Mark Antony Samson, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen, ka pranuar se ai e ka vrarë vajzën në shtëpinë e tij në lagjen afrikane të Romës. Megjithatë, hetuesit janë ende duke kërkuar detaje rreth orëve të fundit të jetës së Ilarisë dhe mundësisë që dikush tjetër mund të ketë ndihmuar Samsonin në fshehjen e trupit të saj. Prindërit e Samsonit kanë konfirmuar se kanë qenë në shtëpi në momentin e vrasjes, por për momentin ata nuk janë të dyshuar.

Hetimet vazhdojnë për të zbardhur se çfarë ka ndodhur pas debatit fatal që çoi në vrasje, si dhe për të gjetur armën që u përdor në krim. Disa prova të rëndësishme përfshijnë një video nga një kamerë sigurie, që ka regjistruar makinën e Samsonit në afërsi të vendit ku u gjet trupi, dhe mesazhet që ai ka postuar në llogaritë e Ilaria Sulës në rrjetet sociale, pas krimit.

Ndërkohë, hetuesit janë në kërkim të më shumë provave për të kuptuar më mirë motivin dhe mundësinë që të tjerë mund të kenë ndihmuar në fshehjen e trupit të Ilaria Sulës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit