“12 larje në muaj për Audin A8 të ministres”, Balluku hap tenderin 10 mijë euro për lavazh

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.04.2025, 21:39

Në një vend ku pensionistët numërojnë qindarkat për ilaçe dhe spitalet vuajnë për pajisje mjekësore, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka një urgjencë tjetër: larjen e makinave qeveritare me një tender luksoz prej 10 mijë eurosh në muaj.

Sigurisht, larja e Audit të saj model A8 nuk mund të bëhet me kova si qytetarët e zakonshëm. Mjeti i saj kërkon trajtim special, dhe për këtë arsye është hapur një tender specifik që përfshin fshesë me kompresor, solucion të specializuar dhe një faturë mujore prej 10 mijë eurosh për pastrimin e makinave qeveritare.

Tenderi, i hapur më 28 mars 2025, parashikon që lavazhi të mos jetë më larg se 2 km nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, të punojë me dy turne (përfshirë të shtunat), të ketë ambient pritjeje për 4 makina dhe të garantojë që asnjë mjet nuk do të presë më shumë se 30 minuta në radhë. Po ashtu, lavazhi duhet të ofrojë pastrim brenda dhe jashtë për 30 minuta dhe të jetë i pajisur me leje mjedisore.

Dhe një detaj tjetër që nuk mund të lihet pa përmendur: “Larja të bëhet me solucion, jo furçë”, një kërkesë që të bën të dyshosh nëse bëhet fjalë për një automjet apo një objekt kulti që meriton trajtim spa.

Sipas specifikimeve të tenderit, vetëm Audi A8 i Belinda Ballukut do të lahet 12 herë në muaj, që do të thotë një herë në çdo dy ditë pune. Por nuk është vetëm kjo makinë që do të përfitojë nga ky shërbim "i veçantë". Në listën e lavazhit janë përfshirë gjithashtu një Toyota, një Volkswagen Touareg, një Hyundai, një Citroen, një Land Rover, një Toyota Rav4, një Skoda dhe një tjetër Toyota.

Në total, një flotë e tërë makinash qeveritare do të ketë një ceremoni të përmuajshme larjeje, e gjitha e paguar nga taksat e qytetarëve, përfshirë ata që ankohen se nuk kanë ujë të rrjedhshëm në shtëpitë e tyre.

Si pjesë e tenderit, është parashikuar edhe larja e tapicerisë 10 herë në vit për tre vetura dhe shtatë fuoristrada. Sepse, sigurisht, makinat qeveritare meritojnë një kujdes të veçantë për tavanet, sediljet dhe tapetet e tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit