Më 21 shkurt të këtij viti, një supermarket i linjës së marketeve 'Diambe' në zonën e Plepave, Durrës u shkrumbua totalisht nga zjarri në orët e para të mëngjesit.
Zjarrfikësit e Durrësit arritën me vështirësi të vënë nën kontroll flakët gjigande teksa zjarri përfshiu jo vetëm marketin, duke shkrumbuar çdo produkt që kishte brenda, por edhe pjesë tjetër të qendrës tregtare ku ndodhet.
Pasi kanë kaluar dy muaj nga kjo ngjarje, marketi vijon të jetë një gërmadhë mbetjesh, i shkrumbuar dhe me erë të rëndë nga produktet e djegura dhe të lëna ende aty.
Banorët e pallatit, te kompleksi Rotondo, janë shqetësuar nga kjo situatë pasi thonë se prej dy muajsh s’guxojnë të hapin dritaret apo të dalin në ballkon për shkak të aromës së rëndë që ka mbetur pas djegies së marketit.
Ata kanë frikë se ndonjë sëmundje apo infeksion mund të përhapet nga ushqimet e djegura dhe aroma toksike që ka mbetur pas djegies.
Ata i bëjnë thirrje pronarëve të marketit që të pastrojnë ambientin sa më parë dhe kërkojnë marrjen e masave nga bashkia për zbatimin e kësaj kërkese pasi sipas tyre është e turpshme që pas 2 muajve marketi vijon të jetë i shkrumbuar nga djegia dhe i papastruar.