Komuna e Gjilanit kishte marrë vendim gjatë vitit 2024 për të mbështetur financiarisht nënat lehona përmes një skeme subvencionimi për çdo lindje.
Megjithatë, vonesa në miratimin e buxhetit komunal ka ndikuar në ekzekutimin e pagesave, duke bërë që këto mjete ende të mos shpërndahen.
Këtë e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Hekuran Rapuca, i cili sqaroi se pagesat janë shtyrë për shkak të mosmiratimit me kohë të buxhetit për vitin 2024.
“Përderisa nuk kemi mjete financiare për të paguar subvencionet për nënat lehona që kanë aplikuar në vitin 2024, këto detyrime konsiderohen borxhe dhe do të barten në buxhetin e vitit 2025”, tha Rapuca.
Ai theksoi se, ndonëse Kuvendi Komunal ka miratuar buxhetin për vitin 2025, pagesat nuk mund të ekzekutohen pa miratimin e tij nga Qeveria. Sipas tij, pagesat do të realizohen pas konstituimit të Qeverisë dhe miratimit përfundimtar të buxhetit të komunës.
Aktualisht, ai njofton se Drejtoria e Shëndetësisë është në proces për një vendim të ri që do të mundësojë vazhdimin e subvencionimit.
Ndryshe, skema e subvencionimit parasheh 100 euro për lindjen e parë, 200 euro për lindjen e dytë, deri në 500 euro për lindjen e pestë dhe çdo lindje pasuese.