Vrasja e 22-vjeçares Ilaria Sula në Itali ka tronditur mbarë opinionin publik, veçanërisht në zonën e Çermës së Sipërme, ku prindërit e saj kanë jetuar. Banorët e kësaj zone janë shokuar kur kanë mësuar lajmin tragjik, që është publikuar fillimisht përmes mediave dhe rrjeteve sociale.
Me lot në sy ata kanë kërkuar dënim maksimal për autorin e këtij krimi të rëndë.
"Atë duhet ta vrasësh, jo ta lësh një të gjallë. E morëm vesh nga televizori dhe telefoni. Është një ngjarje e rëndë të vrasësh tjetrin për dashuri".
Një tjetër banor ka shtuar:
"E morëm vesh me anë të televizorit. E vrau ai miku, e futi në valixhe dhe e hodhi në pyje, kështu e mora vesh. Të marri dënimin që meriton. Jemi shokuar shumë, vajzë 22-vjeçe".
Një banore tjetër ka thënë:
"Ç’ është kështu. U tërbua rinia. U tërbuan gratë gjithë ditën në telefon. Është për të ardhur keq. Ai që e vrau të varet në mes të Milanos ose në Romë. Çfarë do bëjmë ne pleqtë e shkretë, kemi fëmijët në kurbet".
Trupi i Ilaria Sula, studentja me origjinë shqiptare, u gjet një ditë më parë brenda një valixheje të mbyllur në një greminë, 40 km larg nga vendndodhja e saj e fundit në Romë. Ajo ishte zhdukur më 25 mars dhe u gjet e vrarë në një vend të shkretë, në një segment rrugor midis Capranica dhe Guadagnolo. Ish-i dashuri i saj, Mark Antony Samson, është i dyshuari kryesor për vrasjen. Ai, pas vrasjes, e fshehu trupin e viktimës në një valixhe dhe e transportoi për ta hedhur në një greminë, duke fshirë gjithashtu çdo gjurmë të mundshme që mund të lidhej me aktin e tij të tmerrshëm.
Samson, pas krimit, mbajti telefonin e Ilarisë dhe fshiu llogaritë e saj në rrjetet sociale, duke iu përgjigjur shkurt disa mesazheve. Më pas, ai u mundua të fshehë veprën e tij duke shkruar disa mesazhe dhe duke u paraqitur në shtëpinë e shoqeve të Ilaria-s për t'u shtirur sikur po e kërkonte.
Ky krim ka shkaktuar zemërim të madh, duke i shtyrë banorët e zonës të kërkojnë një dënim të ashpër për autorin, që sipas tyre duhet të marrë dënimin maksimal për këtë krim makabër.