Alarm në Tiranë: Nxënësi i klasës së 9-të qëllon me armë zjarri në ajër pranë banesave!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 02.04.2025, 21:21

Një video shqetësuese ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku shfaqet një adoleshent i moshës 14-15 vjeç, nxënës i klasës së nëntë, teksa qëllon me armë zjarri në ajër në rrugë pranë ndërtesave në zonën e Farkës së Madhe në Tiranë. Videoja u shpërnda në rrjetin social Snapchat nga një bashkëmoshatar i tij.

Këto pamje ngrejnë pikëpyetje të mëdha mbi sigurinë dhe lehtësinë me të cilën adoleshentët mund të sigurojnë armë zjarri. Nuk është ende e qartë se si ky nxënës i klasës së nëntë ka arritur të sigurojë pistoletën dhe çfarë e ka shtyrë të ndërmarrë këtë veprim të rrezikshëm.

Ngjarja sjell në kujtesë rastin tragjik të 14-vjeçarit Martin Canaj, i cili u vra me thikë nga një bashkëmoshatar i tij, duke ngritur edhe një herë alarmin për nivelin e dhunës mes të rinjve. Rasti i fundit nuk është vetëm një akt i papërgjegjshëm, por një sinjal i rrezikshëm për shoqërinë dhe institucionet ligjzbatuese.

Kush e ka siguruar këtë armë dhe pse është ajo në duart e një të mituri? A ka pasur prindërit dhe shkolla dijeni për sjelljet e tij? Këto janë disa nga pyetjet që kërkojnë përgjigje të menjëhershme.

Në një kohë kur rastet e përdorimit të armëve mes të rinjve po bëhen gjithnjë e më shqetësuese, është e domosdoshme që autoritetet të ndërhyjnë urgjentisht për të parandaluar raste të ngjashme që mund të rezultojnë fatale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit