Vrasja e shqiptares në Itali, i ati: “I dashuri i saj më përqafoi në komisariat, dyshova te mesazhet e saj”

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 02.04.2025, 21:03

Trupi i 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, e cila ishte raportuar e zhdukur më 25 mars, është gjetur sot brenda një valixheje të hedhur në një luginë në Itali. Autoritetet dyshojnë se vrasja është kryer nga ish-i dashuri i saj, filipinezi Mark Samson, në banesën e tij dhe në prani të prindërve të tij.

Babai i viktimës, Flamur Sula, ka treguar se të shtunën kishte bërë denoncimin për zhdukjen e vajzës, ndërsa të dielën e kishte takuar në komisariat Mark Samsonin, i cili dukej i shqetësuar. Sipas tij, e bija kishte komunikuar për herë të fundit me ta të martën, duke u thënë se do të kthehej në shtëpi të shtunën.

“Hera e fundit që kemi dëgjuar Ilarian ishte të martën dhe na tha se do të kthehej në shtëpi të shtunën", tregon ai në një intervistë në programin "Chi l'ha Visto?" që do të transmetohet sonte në orën 21:20 në “Rai Tre”.

Pas kësaj telefonate, familja kishte marrë mesazhe nga telefoni i saj, ku thuhej se ajo ishte larguar me një djalë dhe një vajzë dhe do të kthehej pas një muaji.

"Ajo jeton me shoqet në Romë, ku ndjek universitetin. Ajo ishte telefonata e fundit, pastaj kemi marrë mesazhe nga telefoni i saj. Ishte sikur të ishte vajza ime që shkruante: 'Ciao, babi, mos u shqetëso. Jam mirë. Jam larguar me një djalë dhe një vajzë. Do të kthehem në Terni pas një muaji’”.

I ati dyshoi menjëherë se nuk ishte vajza e tij që shkruante, pasi ajo do të kishte telefonuar nëse gjithçka do të ishte në rregull.

“Shkruante ‘mos u shqetëso, jam mirë’. Kjo gjë na ngriti dyshime. Nëse do të kishte qenë vërtet vajza ime, do të më kishte telefonuar. Të shtunën shkuam të bënim denoncimin për zhdukjen e saj. Më pas, të dielën, në komisariat takuam Mark Samsonin, të dashurin e vajzës sime. Nuk e dinim që ishin ndarë. Ai na tha se i vinte shumë keq, se ishte i shqetësuar për zhdukjen e saj. Duket i qetë, madje më përqafoi.”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit