Një tender i zhvilluar nga Bashkia Kamëz, e drejtuar nga kryetari Rakip Suli, ka ngritur dyshime të forta për paracaktim të fituesit dhe abuzim me fondet publike. Bëhet fjalë për ndërtimin e fushës së sportit në Valias, si dhe ndërtimin e një godine bashkë me shkallët përkatëse.
Ky projekt, me një fond limit prej 221,499,465.83 lekësh të reja pa TVSH, ose rreth 2.6 milionë euro me TVSH, përfundoi duke u dhënë për një vlerë prej 204,997,591.00 lekësh pa TVSH, ose gati 2.5 milionë euro me TVSH. Kjo do të thotë se shuma e fituar përfaqëson 92.55% të fondit limit, një diferencë minimale që lë hapësirë për dyshime mbi procesin e përzgjedhjes së fituesit.
Tenderin e fitoi një grup kompanish, mes të cilave “Shendelli” në pronësi të Yzedin Bozhaj, “ASI-2A CO” në pronësi të Andrea dhe Astrit Gjikondaj, si dhe “ZDRAVA”, ku ortakë figurojnë Faik Sinanaj, Kastriot Sinanaj, Ylli Zdrava, Arben Zdrava dhe Dashnor Sinanaj.
Megjithëse në tender morën pjesë gjithsej gjashtë kompani, dy prej tyre nuk paraqitën asnjë ofertë ekonomike, ndonëse ishin regjistruar si pjesëmarrëse. Më e habitshmja është se një kompani tjetër ofroi një shumë mbi 500 mijë euro më pak se fituesit, por pavarësisht kësaj nuk u mor fare në konsideratë.
Ky fakt ngre dyshime të forta mbi mënyrën se si është zhvilluar tenderi dhe mbi mundësinë që fituesi ka qenë i paracaktuar që në fillim. Praktika e pjesëmarrjes formale të disa kompanive pa ofertë, ose skualifikimi i një konkurrenti që ka ofruar një vlerë më të ulët, është një skemë e njohur në rastet kur tenderët nuk zhvillohen në mënyrë të ndershme dhe transparente.
Në këtë rast, bashkia ka vendosur të mos zgjedhë ofertën më të leverdishme për fondet publike, por të favorizojë një grup të caktuar operatorësh ekonomikë. Kjo jo vetëm që dëmton konkurrencën dhe parimin e barazisë mes kompanive që marrin pjesë në prokurime publike, por gjithashtu ngre dyshime të mëdha për favorizime të paligjshme dhe shpërdorim të fondeve të qytetarëve.
Ndërkohë, ky nuk është rasti i parë kur në tenderët e zhvilluar nga Bashkia Kamëz ngrenë dyshime për parregullsi. Transparenca dhe drejtësia në prokurimet publike mbeten një problem serioz, ndërsa raste të tilla vazhdojnë të përsëriten pa një hetim të plotë nga institucionet përgjegjëse.